Kryeministri Albin Kurti ka ftuar në takim përfaqësuesit e partive opozitare për ta diskutuar agjendën e miratimit të një numri ligjesh. Pozitivisht ftesës i është përgjigjur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sipas të cilit temë kryesore në takim duhet të jetë caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme. LDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar pjesëmarrjen
Kryeministri Albin Kurti ka ftuar në një darkë kryetarët e partive opozitare, me qëllimin për ta diskutuar agjendën legjislative të sesionit të ri të Kuvendit.
Nga kryetarët e dy prej tri partive kryesore ka marrë përgjigje negative për të folur në këtë temë.
Por, pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar partia më e madhe në opozitë. Megjithëkëtë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka theksuar se temë interesi për këtë parti nuk do të jenë ligjet.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, bëri të ditur se në këtë takim pjesëmarrja e Krasniqit do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.
“Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar ftesën e kryeministrit Albin Kurti për një takim pune, për të hënën, dhe mund ta konfirmoj që kryetari Memli Krasniqi do të marrë pjesë në këtë takim”, ka konfirmuar për KOHËN, Abdullahu. “Qëndrimi ynë si PDK është i qartë dhe konsistent – Kosova është në krizë në çdo fushë dhe rrugëdalje e vetme janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen sa më parë. Prandaj edhe pjesëmarrja e kryetarit Krasniqi në këtë takim do të jetë në funksion të diskutimit për mundësinë e caktimit të datës për zgjedhje të reja”.
Javë më parë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri për zgjedhje të parakohshme, por ka theksuar se për këtë i duhet ndihma e opozitës për ta shpërndarë Kuvendin. Shpërndarja bëhet me votat e së paku dy të tretave të 120 deputetëve të Kuvendit.
Vetëm PDK-ja i është përgjigjur pozitivisht sfidës.
Në LDK kanë theksuar se, për të shkuar në zgjedhje, Kurti duhet të dorëhiqet, e në AAK kanë theksuar se zgjedhjet duhet të jenë rezultat i një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë në Kuvend.
LDK-ja dhe AAK-ja janë ndarë nga PDK-ja edhe në ftesën e kryeministrit për t’u takuar të hënën.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar të vonuar këtë ftesë të Kurtit, të cilin, në letrën që ia ka kthyer, e ka akuzuar se rrënjësisht e ka shuar frymën e bashkëpunimit të Qeverisë me partitë politike opozitare.
“Në përgjigje të letrës suaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vjetësh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike të tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre”, thuhet në letrën e Abdixhikut drejtuar Kurtit.
Abdixhiku ka shkruar se partia e tij vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse ka theksuar se Kurti nuk i është përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok.
“Sa u përket çështjeve të ngritura në letrën tuaj, përkatësisht agjendës legjislative të Kuvendit të Republikës së Kosovës, LDK-ja konsideron se e njëjta diskutohet në Kryesinë e Kuvendit, ku përfaqësuesit tanë politikë i japin edhe qëndrimet tona partiake. Ndërsa për votimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron ato mbi politikat ditore, prandaj do të vazhdojë t’i votojë, siç edhe ka vepruar deri më tani”, thuhet në letrën e Abdixhikut.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka shkruar Kurtit. Në letër, ai ka kumtuar se e refuzon ftesën e kryeministrit.
Sipas Haradinajt, tema e agjendës legjislative u përket shefave të grupeve parlamentare.
“Besnik Tahiri, i cili udhëheq grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj se kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet në përgjigjen e Haradinajt, të cilën e ka publikuar në Facebook.
Kryetari i AAK-së ka thënë se nëse ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë këtë çështje mund ta trajtojnë në një kohë tjetër e në një moment tjetër, “në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë me interes nacional”.
Para se liderët e partive opozitare t’i përgjigjen kryeministrit, ka qenë pararendësi i Kurtit, ish-kryeministri Avdullah Hoti, ai që ka theksuar se nuk duhej të shkohej në takim.
Hoti, i cili është deputet i LDK-së, ka thënë se kryeministri Kurti nuk mund të kërkojë takim me opozitën për agjendën e Kuvendit.
“Kryeministri Kurti po kërkon koordinim me opozitën për agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, por sjellja e tij bashkë me grupin VV-Guxo ndaj institucionit të Kuvendit dhe opozitës gjatë këtij mandati e ka cenuar demokracinë parlamentare në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoti ka numëruar gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për punën e Kuvendit, ndërsa ka theksuar se “edhe kur është hedhur gaz lotsjellës, Kuvendi ka funksionuar më mirë, ka qenë transparent e më efikas”.
“Gjetjet e IKD-së nga monitorimi i Kuvendit të Kosovës janë shqetësuese për rendin demokratik: mungesë transparence në vendime dhe nxjerrje të ligjeve, vendime kundërkushtetuese e kundërligjore, moszbatim i rregullores së punës, Kuvendit iu ka pamundësuar të kërkojë llogari nga Qeveria, mazhoranca ka pamundësuar kuorumin dhe i ka dështuar seancat dhe komisionet hetimore, Qeveria nuk është përgjigjur në pyetjet e deputetëve dhe nuk ka marrë pjesë në seanca të jashtëzakonshme, e shumë gjetje të tjera që paraqiten në vijim”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Mungesa e konsensusit politik brenda Kuvendit ka lënë peng projektligje të rëndësishme, si Kodin Civil, disa marrëveshje ndërkombëtare për grante e kredi në vlerë rreth 300 milionë euro, e edhe Projektligjin për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.