Mbi pesë mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në Preshevë deri në orën 16:00. “Dalja e votuesve deri në orën 16:00 është 5.077 apo 11.71 për qind”, tha kryesuesi i Komisionit Komunal Zgjedhor në Preshevë, Alban Mehmeti. Ndërsa në Bujanoc deri në këtë orë kanë votuar 27.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, sipas kryesuesit të KKZ-së në këtë komunë, Fejzi Beqiri. Shqiptarët e Luginës edhe në zgjedhjet e sotme parlamentare votuan me dy lista.
Afro 2000 qytetarë janë të regjistruar me të drejtë vote në njërën nga qendrat e votimit në Komunën e Preshevës e deri në mesditë rreth 50 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë.
Por edhe në këto zgjedhje shqiptarët nuk u unifikuan.
Në Luginën e Preshevës u garua me dy lista zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon Shaip Kamberi" dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar” me Shqiprim Arifin.
E pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë u konsiderua si e ulët.
Liderët politikë të Luginës ftuan qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje.
“Nuk është përçarje që ne e kemi dashur, por është përçarje që na e ka sjellë Kurti. Pra, nuk është diçka që ne e kemi kërkuar që me njëri-tjetrin të bëjmë. Sepse më 2020 e patëm listën e unifikuar, aty kemi mundur të bashkohemi. Në dy vitet e fundit përçarja ka ndodhur fuqimisht e mbështetur edhe nga Kurti. Dhe sot ia japim faturën edhe Kurtit", ka thënë Arifi.
“Unë besoj që ne do të arrijmë ta kalojmë pragun e nevojshëm për të pasur një mandat. Sot është koha e zgjedhjeve, sot është koha për të motivuar njerëzit, për të mos kërkuar fajtorin. Gjithë ata që marrin pjesë duhet të bindin elektoratin e vet për rëndësinë e pjesëmarrjes dhe t'i ftojë ata të dalin. As Kosova dhe as Shqipëria nuk mund të ketë faj”, ka thënë Kamberi.
“Ftojmë qytetarët masovikisht të dalin në kuti të votimit, të votojnë për deputetë cilësorë e të rreshtuar drejtë për t’i mbrojtur interesat kombëtare dhe qytetarët e Luginës pa dallim”, ka thënë Sinani.
Ndonëse Lugina e Preshevës numëron rreth 43 mijë e 500 votues, vullneti për votim ka munguar me arsyetimin se shqiptarët garuan me dy lista.
“Procesi zgjedhor ka shkuar gjithçka në rregull, kutitë e votimit janë hapur me kohë deri tash gjithçka është në rregull”, ka deklaruar Alban Mehmeti, kryetar i komisionit komunal zgjedhor në Preshevë.
Por për zgjedhjet parlamentare disa qytetarë erdhën nga Zvicra e ata patën edhe disa kërkesa.
“Duhet me vendosë flamurin kombëtar edhe ato të drejtat çka janë nënshkruar në marrëveshjen e Konçulit me u realizu”, ka thënë mërgimtari nga Presheva, Adnan Kamberi.
Të tjerë thanë se duan të drejtat që gëzojnë serbët në veri të Kosovës.
“Të na njihen të drejtat thelbësore sikurse që ju njihen serbëve në Kosovë edhe tek në të vazhdojnë prej atyre më tutje”, është shprehur Kaltrina Nura, banore e Preshevës.
“Ku kemi mbet pakicë edhe plus ndarjet, por këtu është krejt faji i partive politike të cilët nuk dijnë me u bashku kur është në pyetje populli”, ka thënë Fatmir Sahiti, banor i Preshevës.
Për të ofruar sigurinë e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, në Luginë qarkulluan njësite policore serbe.
Këto janë zgjedhjet e katërta të jashtëzakonshme që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012. Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar i zgjedhur në dy mandatet e kaluara.