Gazetari Shkelzen Dakaj e ka akuzuar Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) se është korruptuar nga kompania “Beni Dona” lidhur me tenderit për furnizimin me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Dakaj ka thënë se këtë tender fillimisht e ka fituar një kompani ndërkombëtare me çmim më të ulët, por pas disa ankesave, tenderi i është dhënë “Beni Donës”.
“Njëra prej kompanive që ka qenë në garë është një kompani e specializuar ndërkombëtare që e furnizon edhe KFOR-in me ushqim dhe shpallet fituese për 7.2 milionë euro. Kompania ‘Beni Dona’ që e ka tenderin për 1.2 milionë euro më të lartë, shkon bën ankesë në OSHP. OSHP-ja ia jep sërish ‘Beni Donës’ për 8.4 milionë euro. Sërish bëhet ankesë në ministri. Tri herë i jepet kompanisë që është për 1.2 milionë euro më e lirë, herën e katërt e anulojnë komplet tenderin dhe e merr ‘Beni Dona’. Për 12 muaj ka luajtur me OSHP-në, i merr 5.8 milionë euro pasi ka qenë me kontratë emergjente, në çfarëdo versioni ‘Beni Dona’ i ka përfitimet e veta aty dhe ne në këtë kohë kemi raportuar që ka dyshime shumë të bazuara se OSHP-ja ka qenë e korruptuar, duke i dhënë favore kësaj kompanie.
Isufi: Dejona Mihali, nga largësia, e dirigjon krejt sistemin në Kosovë
Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, është shprehur se zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, po e dirigjon sistemin e pushtetit në Kosovë.
Isufi ka thënë në “Konfront” të KTV-së se Mihali, koordinatore për komitete brenda VV-së, është “lidhje e shkurtër që i kryen punët në Qeveri dhe në Parlament”.
“Kemi një lidhje të shkurtër të atyre që dirigjojnë këtë ministri (të Mbrojtjes v.j.). Është një njeri nga distanca që krejt punët i kryen në Qeveri dhe në Parlament. Kjo është publike, Dejona Mihali rregullon sistemin e këtushëm, ajo duhet edhe fjalimet t’ua përgatisë deputetëve”, ka deklaruar Ahmeti i partisë opozitare.
Ndaj tij reagoi analisti Rron Gjinovci, duke u shprehur se edhe deputetëve të opozitës “ua shkruan dikush fjalimet”.
Gjinovci dyshon se kriza me ushqimin në FSK është e zmadhuar
Opinionisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka vlerësuar se çështja me krizën me ushqimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës është e zmadhuar.
Sipas tij, kjo është propagandë me qëllim që të ulet morali i ushtrisë.
“Sot e takova një ushtar të FSK-së dhe i thashë ‘ku jeni ju që keni mbetur pa bukë’ në formë shakaje, ma ktheu ‘këtë pyetje shpesh po e bëjnë, ne asnjëherë nuk kemi mbetur pa bukë’. Ushtarët nuk kanë mbetur pa bukë. Kjo është propagandë. Kjo është pikërisht për ta ulur moralin e ushtrisë. Sepse, nuk është e vërtetë që kanë mbetur pa bukë”, ka thënë ai.
Dakaj: Krijimi i kuzhinave brenda kazermave vetëm sa i shton proceset e prokurimit
Gazetari i “Infokusit”, Shkelzen Dakaj, vlerëson se me heqjen dorë nga operatorët e jashtëm për furnizim me ushqim për ushtarët e FSK-së, nuk i eliminon tenderët.
Sipas tij, me krijimin e kuzhinave brenda kazermave, siç po synohet të bëhet nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm sa shtohen proceset e prokurimit.
"Kuzhina kërkon produkte çdo ditë. Për çdo furnizim duhet tender. Si të bëhet furnizimi me pemë e perime të freskëta çdo ditë. Proceset e prokurimit vetëm sa do të shtohen", ka thënë ai në emisionin “Konfront”, të enjten mbrëma.
Isufi: Është banale që çështja e ushqimit të FSK-së të vlerësohet “sekret shtetëror”
Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka deklaruar se është banale tendenca e Qeverisë për ta paraqitur si sekret shtetëror çështjen e ushqimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), duke u shprehur se kjo duhet të rregullohet.
Sipas Isufit, kjo çështje është normale dhe s’duhet të trajtohet si diçka shumë specifike. Ai ka thënë në "Konfront" të KTV-së se FSK-ja duhet të ketë personelin e saj dhe të përgatisë ushqimin.
“Ushtria duhet të ketë personelin e vet, kuzhinierë në kuadër të ushtrisë, ta ketë ushqimin e kontraktuar që e fut brenda ushtrisë, të kontrolluar dhe shërbimi të bëhet brenda ushtrisë. Në Kosovë ka ndodhur përmes tenderëve me kompani sepse iu është dukur më e lehtë funksionim për shkak të mosngarkimit të ushtrisë me kapacitete...Banalja dhe paradoksi është që të quhet sekret shtetëror, sepse s’ka nevojë që diçka që është normale ta bësh më specifike sesa që është”, ka thënë ai.
Isufi ka theksuar se ushqimi për ushtarët duhet të garantohet në çdo mënyrë.