Arbëri

Dakaj: Një gjiganti amerikan të armatimeve, Qeveria qe një vit s’ia ka ndreq as letrat për investim

Shkelzen Dakaj

Gazetari Shkelzen Dakaj ka treguar se ka informacion për një kompani të madhe amerikane që ka shprehur interesim për investim në Kosovë, por se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’ia rregullojë procedurat ligjore.

Ai ka thënë se kompania është një prej më të fuqishmeve të prodhimit të armëve dhe municionit në botë dhe se që një vit vetëm është regjistruar, por nuk ka arritur të nisë as ndërtimin e fabrikës.

“Një vit i ka në Kosovë që është një prej kompanive më të fuqishme në botë që prodhon armë dhe municione që është duke u sillë nëpër Kosovë, nuk kanë mundur t’ia rregullojnë vetëm procedurat ligjore. Krejt çka ka mbërri që një vit ajo kompani është veç është e regjistruar në Kosovë. Presidente, kryeministër, ministra me të gjitha ka pasur takim, e ka marrë tokën, ka ardhur projekti, i kanë treguar kësaj Qeverie që kjo është një prej fabrikave më të mëdha në Amerikë dhe janë të interesuar të hyjnë në Kosovë për shkak se ka nevoja të mëdha prej luftës në Ukrainë dhe vendet tjera. Edhe një informacion tjetër - në Pejë, është me lokacion, me krejt këto, një vit janë duke e sillë dhe sot kur e pash lajmin i kontaktova. Një kompani gjigante amerikane që këta nuk kanë mundur për një vit t’ia ndreqin as legjislacionin dhe t’ia dhënë licencat që ai me fillu ndërtimin e fabrikës që është e paraparë në Pejë”, ka thënë Dakaj.


Sopi: Një provokim i Serbisë mund të ndodhë dhe mos prisni se NATO do të çojë aeroplanët për Kosovën

Panelisti Agim Sopi ka thënë se jë provokim i Serbisë mund të ndodhë në situatën aktuale. 

Sipas tij, nuk duhet pritur që NATO-ja në një rast të tillë do të dërgojë aeroplanë për Kosovën.

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, ka thënë se me ndryshimin e administratës në Shtetet e Bashkuara, ka ndryshuar edhe situata gjeopolitike.

“Që nga fillim i luftës në Ukrainë, Rusia ka bërë një trysni edhe në Lindjen e Mesme edhe në Ballkan që ta hapë një front tjetër. Ky problem ka qenë goxha serioz sepse nuk ka qenë siç dëgjoj unë si një lloj zhurme për asgjë, për të mbuluar dështimet e realizimeve në segmente të tjera, si premtimet elektorale, veriu ka qenë problem serioz dhe i rrezikshëm dhe pavarësisht se ndonjëherë z.Kurti ka rënë në gropa të hapura të kamufluara të Serbisë, megjithatë ajo temë është menaxhuar deri sot. Kjo periudha qysh para një muaji e tutje deri në inaugurimin e presidentit Trump do të jetë periudhë e turbullt. Nuk do të thotë se Serbia nuk do ta bëjë të njëjtën gjë si Rusia këto kohë. Një provokim i qëllimshëm i Serbisë në këtë situatë mund të jetë shumë i kobshëm për Kosovën. Mos prisni që z.Trump, i cili nuk mund të urdhërojë tash, do të urdhërojë forcat e NATO-s që të çojnë avionët për ta mbrojtur Kosovën dhe mos prisni që as z.Biden në shkuarje do t’i urdhërojë forcat e NATO-s ta mbrojnë Kosovën. Vetë jemi goxha fragjilë dhe të pambrojtur”, ka thënë Sopi.


Dakaj: Kjo me municionet s'është gjë, thjeshtë një komision sikur ai që u bë për shëndetësinë

Gazetari Shkëlzen Dakaj, ka thënë se vendimi i Qeverisë për t’i hapur rrugë ndërtimit të një fabrike për municionet është thjeshtë një komision, sikurse ai që është bërë për shëndetësinë. 

Sipas Dakajt, sikurse komisioni i themeluar më 2022, edhe ky i sotmi është vetëm bazë fillestare, që nuk ka as edhe ide. 

Derisa ka bërë krahasimin me Komisionin për Shëndetësi, kryetar i së cilit është vetë kryeministri Albin Kurti, Dakaj ka thënë se sot nuk është bërë ndonjë hap i madh, siç u promovua. 

“Sot e kemi një vendim, është krijuar një komision, sepse tani po promovohet këtu thua se është bërë një hap shumë i madh, është vetëm një komision sikurse ka qenë një komision në shtator të 2022-tës që është formuar për të na nxjerrë nga kriza në problemet e mëdha që kanë qytetarët në shëndetësi. Nëse ju kujtohet, kryeministri i Kosovës e ka formuar komisionin ndërministror, madje një prej prioriteteve ka thënë që është edhe kthimi i kirurgëve nga jashtë vendit. Kryeministri Albin Kurti është kryesues i komisionit, ministri i Shëndetësisë anëtar, ministri i Financave, i Arsimit, zëvendësministri i Shëndetësisë janë anëtarë, ka pasur një armatë të madhe të njerëzve që e kanë formuar një komision që kanë qëllim të hartojnë e identifikojnë problemet në shëndetësi deri te ndalja e ikjes së mjekëve prej Kosovës, asnjë hap dhe veprim. Çka është kjo që e ka krijuar sot kryeministri i Kosovës? Siç edhe shkruan në vendim, është krijuar një komision që është bazë fillestare, nuk mund as të themi që ka ide. Aty thuhet se këta ministra do t’i gjejnë ekspertët e profesionistët e fushës për ta hartuar një ide”, ka thënë ai. 


Dugolli: Ushtria nuk bëhet me letër, por me shtim të buxhetit - Qeveria e ka bërë këtë

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, ka thënë se gjatë qeverisjes së Albin Kurtit buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës është trefishuar. Ai ka theksuar se ka pasur ndryshim të theksuar në FSK, e s’e të arriturat kanë ndodhur falë shtimit të buxhetit.

Dugolli ka shtuar se përveç rritjes së buxhetit bazë, janë rritur edhe shtesat.

“Kemi marrë FSK-në me buxhet prej 67 milionësh, tash ky buxhet është rritë në 208 milionë buxheti bazë, mos të flasim për shtesat që do t’i ketë konform kërkesave që i parashtron Ministria e Mbrojtjes... Ka pasur donacione, mbështetje, por diçka që e ka bërë këtë ndryshim të dukshëm është rritja e buxhetit, kemi trefishim të buxhetit. Ne e kemi thënë edhe në opozitë, e kemi mbështetur Ligjin për FSK-në, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shërbimin në FSK, që ia ndërronte edhe misionin FSK-së. Ushtria nuk bëhet me letër, ushtria bëhet me mbështetje buxhetore”, ka thënë ai.