Redaktori i KOHËS, Besnik Krasniqi, ka deklaruar se plakja e diasporës nuk mund të jetë argument për rënien e votës për Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se diaspora “po mendon më ndryshe”, duke shtuar se që nga pavarësia numër i madh i qytetarëve të Kosovës kanë dalë në mërgim.
“S’është për shkak të plakjes së diasporës, por për shkak se diaspora po mendon pak më ndryshe. Po flas për një trupë të madhe që ka shkuar pas luftës”, ka thënë Krasniqi.
Ai tutje ka shtuar se “nuk ekziston logjika e plakjes së diasporës”.
Bajra: Inercioni i votës së LVV-së është i lidhur me figurën e Kurtit
Profesori i ekonomisë, Ujkan Bajra, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje mund të jetë “konsumuar” gjatë periudhës në pushtet, duke e ndërlidhur këtë me rënie në numrin e votave të zgjedhjeve të 9 shkurtit, për dallim nga zgjedhjet e 2021-s.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së, se vota me inercion e kësaj partie nga qytetarët është e lidhur me figurën e kryetarit të partisë, Albin Kurti.
“Me kalimin e kohës pushteti të konsumon. Fakti që VV-ja ka marrë mbi 50% të votave në zgjedhjet e kaluara, është inercion që është kuptuar se iu vodh pushteti në 2021-n. Ajo e ka rritur VV-në, kështu që a e bënë këto kushtet më të mira që proklamohen...ose a e shohin suksesin, inercioni është i lidhur me një figurë, e s’ka tjetër. Ai person është ai që e lidh krejt partinë”, ka thënë Bajra.
Sipas profesorit, ky person është Albin Kurti.
Dakaj: Kurti e ka nuhatur mirë mllefin e diasporës
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka thënë se kryeministri në largim, Albin Kurti, e ka nuhatur mirë mllefin e diasporës me institucionet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Dakaj ka thënë se Kurti e ka nuhatur saktësisht se çfarë dëshiron diaspora.
Sipas tij, mërgimtarët me të drejtë janë zhgënjyer nga qeverisjet e kaluara, pasi nuk ka pasur kujdes adekuat për ta.
“Diaspora e ka ndierë edhe barrë, ngarkesë, kur është formuar shteti, kur është shpallur pavarësia, edhe pas këtyre ngjarjeve disa qytetarëve kanë vazhduar të jenë barrë e diasporës dhe me të drejtë në tri palë zgjedhje e kemi një reflektim të mllefit të diasporës ndaj shtetit të Kosovës, e kjo si rezultat i moskujdesit adekuat që e kanë pasur qeverisjet e kaluara. Qeverisjet e kaluara kanë qenë shteti, e ke pasur një burokraci të jashtëzakonshme me të cilën janë ballafaquar këta njerëz. Nuk e ke pasur asnjë politikë qe e ka stimuluar ose ka bërë ndonjë politikë lehtësuese për ta thithur trurin e diasporës, nga shpallja e pavarësisë e këtej. Këta janë shkaktarët dhe me të drejtë këta njerëz janë të zhgënjyer. Të gjitha këto kanë ardhur te një parti politike, e cila e ka nuhatur jashtëzakonisht mirë, saktësisht se çka dëshiron diaspora. E ka prekur sentimentin patriotik, atë të familjes”, ka thënë Dakaj.
Ai ka shtuar se diaspora do të zhgënjehet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje po aq sa është zhgënjyer nga partitë tjera.