Njohësi i çështjeve energjetike, Valon Berisha, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë për zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta energjetike, duke e cilësuar si mundësi të humbur deri më tani.
“Kemi qenë ithtarë, kemi shpërndarë ide në institucionet e Kosovës që të ndërtohen kapacitete të përbashkëta energjetike me Shqipërinë. Për mua, është gabim fatal që s'kemi ndërtuar kapacitete të përbashkëta energjetike me Shqipërinë,” u shpreh Berisha në KTV.
Ai theksoi se mundësia për bashkëpunim në këtë drejtim është reale dhe duhet të shfrytëzohet sa më parë. Berisha vlerësoi miratimin e projektit të interkonjeksionit 400 kilovoltësh nga kryeministri Edi Rama që në mandatin e parë.
“Disa parti politike flasin për bashkimin me Shqipërinë, bashkëpunimin... Rrugën e Kombit e kemi, hekurudha do të bëhet së shpejti, pse të mos ndërtohen edhe kapacitetet energjetike? Në këtë frymë duhet të kemi bashkëpunim me Shqipërinë”, shtoi ai.
Haxhimusa: Investimet në energji me thëngjill nuk janë më rentabile
Ekonomisti i energjisë Adhurim Haxhimusa, ka thënë se investimet me thëngjill më nuk janë rentabile.
Ai tha se investuesit kanë shumë më tepër leverdi të investojnë në energji solare dhe ato me erë.
“Nëse ka leverdi Kosova të kthehet me thëngjill atëherë le të kthehet. Por, prej 1 janari të këtij viti Kosova e ka obligim me implementu taksën e karbonit. Nëse nuk e implementon, do të detyrohet të integrohet ndoshta në tregun evropian të certifikatave të karbonit. Për momentin çmimi i certifikatave në tregun e karbonit është 80 euro për ton. Termocentralet përafërsisht hedhin në atmosferë rreth 1 ton karbon për çdo 1 megavat orë që gjeneron...Kostoja minimale, nëse nuk ke kosto të prodhimit fare, do të jetë 80 euro për megavat ton. Por kur ja shton edhe koston e prodhimit shkon 130-140 euro për megavat ton. Cili investitor investon në teknologji si thëngjilli, që kryesisht është teknologji që përdoret për furnizim bazë të kërkesës për energji elektrike”, ka thënë Haxhimusa në “Zgjedhjet në KOHË”.

Haxha ka dyshime të mëdha lidhur me premtimet për termocentral me gaz
Gazetari i ekonomisë, Uran Haxha, ka hedhur dyshime mbi premtimet e partive për realizimin e projektit të termocentralit me gaz dhe gazifikimit të Kosovës, duke theksuar kostot e larta dhe sfidat që shoqërojnë këto nisma.
Sipas tij, fizibiliteti për termocentralin me gaz është kryer më parë dhe projekti ka qenë në tavolinë, por është refuzuar në favor të projektit të baterive. Megjithatë, ai nënvizoi se mbyllja e termocentralit “Kosova A” është e pamundur pa një burim alternativ.
“Nuk ka fuqi askush për ta mbyllur ‘Kosovën A’ pa gjetur një burim alternativ. Ky burim tjetër që është premtuar nga të gjithë është termocentrali me gaz,” deklaroi Haxha, duke shtuar se ky projekt do të kushtonte midis 500 dhe 600 milionë euro.
Ai gjithashtu vuri në pah kostot e mëdha për ndërtimin e tubacioneve të gazit, ku shtrirja për një metër arrin deri në 1.5 milionë euro. Ndërsa gazifikimi i Kosovës, një premtim i dhënë nga disa parti politike, do të kushtonte 5 milionë euro për çdo kilometër shtrirje.
“Që do të thotë se duhen shumë para, që për momentin është shumë pikëpyetje se ku do të merren. Termocentrali me gaz ka qenë premtim më i lehtë dhe më i prekshëm, por si do ta bëjnë pak problem,” theksoi Haxha.
Dajana Berisha: Po shoh vetëm ide të përgjithshme për energjinë, jo strategji
Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e organizatës FIQ, ka thënë se partitë politike kanë përfshirë ide të përgjithshme dhe jo strategji për fushën e energjisë në premtimet e tyre.
Ajo ka theksuar se partitë nuk i kanë kapacitetet për projekte të mëdha strategjike.
“Është sektori kryesor që i jep jetë sektorit privat. Problemi qëndron në mënyrën si në këtë moment të fushatës elektorale të gjitha partitë po premtojnë. Në premtimet që bëjnë, shoh ide të përgjithshme dhe jo strategji të mirëfillta, afatgjate, të qëndrueshme, të buxhetuara. Kjo në vetvete tregon që ende këto parti nuk i kanë kapacitetet e mirëfillta planifikuese dhe implementuese të projekteve të mëdha strategjike”, ka thënë ajo në “Zgjedhjet në KOHË”.
Berisha ka përmendur projektin e gazit të paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e për të cilin ka thënë se kjo parti ka dhënë vetëm deklarata pompoze fushate, pa plan të mirëfilltë.
“Projekti i gazit për LDK-në, pak e paqartë është pse pikërisht në Ferizaj. Po flasin se do ta bëjnë Ferizajn qytet të zhvilluar të termocentralit të energjisë. Ndërkohë do duhej të investohej në termocentral të gazit, në infrastrukturë, kosto që Kosova duhet t’i gjejë në donatorë ndërkombëtarë. Pse të mos bëhet ky termocentral aty ku është infrastruktura, Obiliqi, por pretendohet Ferizaj. Kjo më jep të kuptoj se nuk ka plane të mirëfillta, por janë deklarata pompoze të një partie”.