Arbëri

Daçiqi e Petkoviqi udhëheqin ekipin kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës

Ivica Daçiq

Ivica Daçiq

Ministri i Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Daçiq, të premten ka thënë se është formuar ekipi që do të luftojë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Formimin urgjent të këtij ekipi e kishte kërkuar presidenti serb Aleksandar Vuçiq në seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë të enjten.

Daçiqi ka bërë të ditur se së bashku me drejtorin e të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do ta udhëheqin këtë ekip.

“Në të do të jenë më së shumti njerëz nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe nga ministritë tjera, nga Kuvendi Kombëtar dhe kabineti i Presidentit të Republikës”, ka thënë Daçiq.

Nisma e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës do të diskutohet në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Vendimi final pritet të jetë në mesin e majit, kur mblidhen ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare.