Arbëri

“D+”: Ka histori mashtrimi kompania që e ndërtoi kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës

Organizata “Demokracy Plus” ka publikuar një analizë, në të cilën ka bërë të ditur se kompania që e rinovoi kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, e që u rrëzua nga erërat në muajin janar, është dënuar dy herë për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve. Pavarësisht kësaj, Këshilli Prokurorial dhe Komuna e Suharekës nuk kishin kërkuar nga OSHP-ja që kompaninë ta përfshinte në listën e zezë

Kompania që ka rinovuar kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, i cili u rrëzua në muajin janar, sipas organizatës “Demokracy Plus”, ka histori mashtrimi në prokurimin publik.

Gjatë prezantimit të analizës për kontratën, përfaqësues të kësaj organizate thanë të mërkurën se kompania “NBT-ING Sh.P.K.” ishte dënuar dy herë para se të fitonte tenderin për kulmin e Komunës.

“Më datën 18 janar 2024, si pasojë e erërave të forta ra kulmi i Komunës së Prishtinës, duke shkaktuar dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Kjo ngjarje shpërfaqi pasojat që shkaktohen nga mungesa e sanksionimit të kompanive të cilat në vazhdimësi shkelin Ligjin e Prokurimit Publik (LPP). Komuna e Prishtinës, në janar të vitit 2023 ndau 700 mijë euro për rinovimin e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës. Në këtë proces tenderimi me kontratë u shpërblye kompania ‘NBT-ING Sh.P.K.’, kompani e cila ofertoi me 386,096.29 euro, apo rreth 313,903.71 euro më e ulët sesa vlera e parashikuar e kontratës”, ka thënë Ardit Dragusha, hulumtues në “Demokracy Plus”.

Ai ka thënë se kjo kompani nuk ishte përfshirë në listën e zezë, ndonëse kishte dy vendime gjyqësore për të.

“Në rastin e parë kompania ‘NBT-ING Sh.P.K.’, në vitin 2018 kishte falsifikuar dokumentet në tenderin për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Shtërpcë me vlerë të parashikuar të kontratës prej 1 milion eurosh, të iniciuar nga Komuna e Suharekës. Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor pronarin e kompanisë, për veprën penale falsifikim i dokumenteve, duke i shqiptuar dënim me gjobë prej 900.00 eurosh. Në rastin e dytë në vitin 2020 në tenderin ‘Renovimi i objektit të Prokurorisë Speciale’, me vlerë pothuajse 1 milion euro. Edhe për këtë tender pronari i kompanisë u dënua me vendim të gjykatës për shkak të keqpërdorimeve dhe mashtrimit në prokurim publik, duke u gjobitur në vlerë 2 mijë euro dhe 1 vit burgim”, ka theksuar ai.

Pavarësisht dy rasteve të dënimit, sipas Dragushës, kjo kompani vazhdoi të fitonte tenderë publikë, si në rastin e Komunës së Prishtinës.

“Ndonëse gjykatat vërtetuan dy herë se kompania ‘NBT-ING Sh.P.K’ kishte falsifikuar dokumente, Komuna e Suharekës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës si autoritetet kontraktuese në të cilat ka ndodhur ky falsifikim dhe ky mashtrim, nuk paraqitën kërkesën për diskualifikimin e kompanisë, përkundër faktit se ndërmarrja e këtij veprimi është përgjegjësi ekskluzive e këtyre institucioneve publike”, ka theksuar Dragusha.

Hulumtues të “Demokracy Plus” përmenden edhe institucione të tjera që duhej të aktivizoheshin.

“Përveç listës së zezë si instrument për sanksionimin e operatorëve ekonomikë të cilët konsumojnë vepra penale siç është falsifikimi, mashtrimi dhe keqpërdorimi në prokurim publik, mekanizëm tjetër janë edhe vendimet e gjykatave të cilat mbështeten në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Mirëpo, po del që as këto vendime të mos kenë efekte në terren, për shkak të sanksionimit të butë dhe vendimeve të lehta që po u japin këtyre, karshi këtyre shkeljeve”, ka thënë Egzona Kozhani.

KOHA i ka pyetur Këshillin Prokurorial dhe Komunën e Suharekës për arsyet pse mungoi kërkesa për ta futur këtë kompani në listën e zezë, por nuk janë përgjigjur.

Në muajin janar të këtij viti erërat rrëzuan kulmin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës, për të cilin ekspertët thanë se ishte ndërtuar pa përfillur standardet. Një vajzë mori lëndime të rënda, ndërsa u shkaktuan edhe dëme materiale në veturat e parkuara afër ndërtesës së Komunës.