Arbëri

CorrWatch kërkon nga Ministria e Bujqësisë që t’i hapë me kohë thirrjet për grante e t’i rishikojë kriteret

CorrWatch

Iniciativa “CorrWatch” ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me siç ka thënë vonesat e përsëritura të hapjes së thirrjes për grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). 
CorrWatch ka thënë se vonesa, e shoqëruar nga kritere të pranueshmërisë jo të harmonizuara, “cenon integritetin e ndarjes së granteve në sektorin e bujqësisë”. 

“Gjatë monitorimit të bizneseve të mbështetura gjatë tri vjetëve të fundit, CorrËatch ka konstatuar se kriteret e pranueshmërisë nuk janë duke i kontribuar qëndrueshmërisë të projekteve të mbështetura. Regjistrimi i bizneseve në periudha të shkurtra kohore para aplikimit për grante dhe shuarja e tyre pas përfitimit të shumës përkrahëse janë duke rrezikuar efektivitetin e fondeve publike. Këto praktika jo vetëm që shkaktojnë pabarazi mes aplikuesve, por gjithashtu rrezikojnë keqpërdorimin e burimeve financiare duke dobësuar besimin e publikut në proces”, ka thënë CorrWatch. 

CorrWatch ka thënë se duhet urgjentisht rishikuar legjislacioni dhe kriteret e pranueshmërisë, duke forcuar llogaridhënien jo vetëm nga MBPZHR, por edhe nga  bizneset përfituese. 

“Kriteret e pranueshmërisë duhet të sigurojnë që përfituesit e granteve të kenë kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për të realizuar investimet e tyre. Mbështetja e bizneseve pa një histori të qartë funksionaliteti apo që rrezikojnë shuarjen pas marrjes së granteve, është një qasje e papranueshme dhe në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e Strategjisë për Zhvillimin e Bujqësisë”, ka njoftuar CorrWatch.

CorrWatch ka kërkuar nga Ministria që thirrjen për ndarje të granteve, përfshirë hapjen dhe mbylljen e saj, ta realizojë brenda vitit të njëjtë kalendarik. Ka kërkuar të rishikohen kriteret e pranueshmërisë, duke siguruar që ato “të jenë të arsyeshme dhe të mbështesin objektivat e programit për Zhvillim Rural të vitit përkatës”. 

E po ashtu ka kërkuar qasje të plotë dhe të pavarur për monitoruesit e CorrWatch në të gjitha fazat e procesit të ndarjes së granteve.

“CorrWatch i bën thirrje Ministrisë që të garantojë një proces të hapur, të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, duke forcuar integritetin dhe qëndrueshmërinë e investimeve në bujqësi”, thuhet nga Iniciativa “CorrWatch”.