Arbëri

CorrWatch kërkon hetime dhe anulim të konkursit për drejtor të Autoritetit të Aviacionit Civil

Autoriteti i Aviacionit Civil

Iniciativa CorrWatch ka shprehur kërkuar anulimin e procesit rekrutues për pozitën e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC).

Në një reagim të kësaj iniciative thuhet se ata më 15 maj kanë reaguar publikisht lidhur me shkeljet ligjore të identifikuara gjatë monitorimit të fazës së verifikimit te aplikacioneve, siç thuhet, duke përfshirë në listën e ngushtë tre kandidatë që nuk i kishin plotësuar kriteret ligjore të përcaktuara me Ligjin për Zyrtarët Publik dhe se kishin rekomanduar që të bëhet rishqyrtimi i procesit. 

Fatkeqësisht thuhet se AAC-ja ka shpërfillur këto gjetje, duke vazhduar me procedurën e rekrutimit për pozitën në fjalë.

“CorrWatch konsideron se vazhdimi i procesit pa trajtuar kjo çështje përbën një shkelje serioze të ligjit dhe ngreh dyshime të forta për favorizim te kandidatëve të caktuar, të cilët janë futur në listën e ngushtë pa plotësuar kriteret. Në të njëjtën kohë, për shkak të parregullsive ligjore në këtë proces, CorrWatch ka vendosur të tërhiqet nga monitorimi i fazave të tjera të këtij procesi.  Përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon që institucioni publik ta anulojë këtë proces dhe i bën thirrje prokurorisë të nisë hetimet për të”, thuhet në reagim.

Iniciativa CorrWatch është themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP).

KOHA këtë javë ka raportuar se si procesi i rekrutimit të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil është përcjellë me dyshime për shkelje dhe se si monitoruesit që veprojnë në kuadër të projektit britanik, kanë konstatuar se tre kandidatë janë përfshirë në listë të ngushtë, pa përmbushur kriteret dhe kanë theksuar se këtu ka punë për hetuesit.