Iniciativa CorrWatch ka thënë se procesi i rekrutimit për pozitën e një zyrtari për Auditim të Brendshëm në ndërmarrjen “Ibër-Lepenc”, përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje, dhe ka kërkuar që ajo të rishqyrtohet.
Gjatë monitorimit të fazës së verifikimit paraprak për këtë proces rekrutimi, CorrWatch ka identifikuar shkelje.
“Më konkretisht, komisioni ka përfshirë në listën e ngushtë dhe ka ftuar për intervistë një kandidate që nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara në shpallje, veçanërisht ato që lidhen me përvojën e punës. Gjatë verifikimit paraprak, kjo kandidate nuk kishte dokumentet që mbështesnin përvojën e saj të punës dhe të njëjtat i ka dorëzuar pas afatit të paraparë në konkurs”, ka gjetur iniciativa që përbëhet nga organizatat si GLPS, GAP dhe INDEP.
CorrWatch ka deklaruar se praktika e tillë është diskriminuese ndaj kandidatëve të tjerë dhe bie ndesh me rregullat e konkursit, të cilat përcaktojnë qartë se “kandidatët me dokumentacion të pakompletuar, të paplotësuar, jo të duhur dhe jashtë afatit të konkurrimit do të refuzohen.”
CorrWatch ka shtuar se pavarësisht se këto shqetësime i ka ngritur tek komisioni vlerësues dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara, rekomandimi nuk është adresuar. Kështu, i ka bërë thirrje edhe një herë që ta marrë parasysh.