Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti lidhur me mundësinë për sulme para dhe pas festave të fundvitit, është e panevojshme dhe nuk duhet të shihet si shqetësuese.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Çollaku ka theksuar se gjasat janë shumë të vogla për të pasur sulme në këtë periudhë kohore, bazuar në shumë faktorë.
“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti për mua është fare e panevojshme, sepse qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për paralajmërime të tilla, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për siguri të qëndrueshme të cilën Qeveria e Kosovës e ka obligim kushtetues t’ua garantojë në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Nuk besoj në teorinë e probabilitetit, gjasat janë shumë të vogla të ketë sulme në këtë periudhë kohore dhe tani, sepse e dimë situatën çfarë është në Serbi tani. Gjithashtu ka vigjilencë të shtuar te organet tona të sigurisë dhe njëkohësisht shërbimet inteligjente të shteteve mike janë në veprimtari të intensifikuar, njëkohësisht forcat e KFOR-it janë në strukturë të shtuar dhe konsoliduar. Të gjithë këta faktorë mua më japin sigurinë të them se nuk do të ketë gjasa për të ndodhur sulme në këtë kohë në prag të festave apo pas festave, pra gjasat janë shumë të vogla për të mos thënë nuk ka fare”, ka thënë ai.
Çollaku tutje ka vlerësuar se deklaratat e Kurtit janë të karakterit politik.
“Këto janë deklarime të karakterit politik që në faza të caktuara kanë peshë më të madhe, së fundmi është përgjegjësi dhe kompetencë e tij, është i pari i Qeverisë dhe ka informacione të besueshme. Edhe po të ndodhë sulmi, do të jetë i neutralizuar dhe pasojat do të jenë minimale falë gatishmërisë dhe konsolidimit të mirë të sistemit të sigurisë dhe Policisë së Kosovës në atë pjesë të vendit”, ka thënë ai.