Arbëri

Çmimet nisin “të fluturojnë”

Buka

Disa biznese kanë nisur t’i shtrenjtojnë produktet, e disa të tjera kanë paralajmëruar shtrenjtim nga 1 maji, kur pritet të hyjë zyrtarisht në fuqi tarifa e re e energjisë elektrike me çmim më të lartë. Shtrenjtimi i produkteve nga bizneset për qytetarët po bëhet i papërballueshëm, kanë thënë në shoqatën “Konsumatori”. E bizneset kanë paralajmëruar shtrenjtim edhe më tej.

Në një nga furrat e Prishtinës, një bukë tani po shitet me çmim 80 centë, ndërsa para dy javësh, siç raporton “KosovaPress”, kushtonte 60 centë. E kafiteritë në kryeqytet kanë bërë të ditur se që nga maji, kafeja do të shtrenjtohet edhe më shumë.

Në disa furra në Prishtinë, prapa kamerave, punonjësit s’kanë përjashtuar mundësinë e shtrenjtimit të bukës për shkak të tarifave të reja të rrymës.

Sipas pronarit të një kafiterie në kryeqytet, furnizuesit po e shesin kafenë më shtrenjtë, dhe për këtë arsye, siç ka thënë ai, ka qenë i detyruar të përditësojë çmimet e kafesë. Nga e enjtja, nga 1 euro sa është, makiato do të kushtojë 1 euro e 50 centë në këtë bar. E ai ka paralajmëruar shtrenjtim edhe më shumë pas shtrenjtimit të rrymës.

“Çmimet e kafesë janë shtrenjtuar prej 1 majit për shkak se furnitorët që ne marrim kafe, ata e kanë rritur çmimin. Edhe në vitin 2024 dy herë është rritur çmimi. Herën e fundit është rritur çmimi për katër euro. Tash ka ndodhur rritja prapë prej 1 majit edhe për katër euro, që nënkupton se nuk kemi zgjidhje ne bizneset pa e rritur edhe çmimin e kafesë. Një espresso e kemi shitur 1 euro, tash do të shitet 1 e 20, që prapë nuk e mbulon atë pjesën ku me ditë sa. Ndërsa, makiato e madhe 1 euro e gjysmë. Përndryshe, është paralajmëruar që do të rritet prapë deri në fund të vitit edhe njëherë ose dy...Klienti nuk po e kupton që furnitori njëherë e shtrenjton, më pas edhe ne...Ka të bëjë edhe me shtrenjtim të rrymës, patjetër. Po duhet ta shtrenjtojmë edhe pjesën tjetër të ushqimit. Sepse pas shtrenjtimit të rrymës, kanë filluar paralajmërimet edhe për shtrenjtimin e bukës dhe gjërave të tjera që janë në proces të prodhimit me rrymë”, ka thënë pronari i një kafeneje në Prishtinë.

E qytetarët kanë thënë se çmimet pos në furra, janë ngritur edhe në markete.

“Standardi i cili është me vendin tonë... jashtëzakonisht çmimet janë të mëdha, krahasuar me pagat, me standardin e qytetarëve. Por, vërehet që disa artikuj vërtetë janë shtrenjtuar...Nëpër makete normal. Për shembull në krahasim me Gjermani, Zvicër shumë artikuj në Kosovë janë më shtrenjtë se jashtë. Jo që ka ngritje enorme vetëm këtë kohë të fundit, por në mënyrë graduale çmimet gjithmonë janë në ngritje, e pagat jo”, ka thënë qytetari Viktor Sopi.

E krahas shtrenjtimit, sipas Isuf Musliut, duhet të ketë edhe rritje pagash.

“Jo vetëm në furra dhe markete, po çdo kund po i ngrisin çmimet. Kudo që janë po vjedhin, po i ngrisin çmimet. Punëtorët e shkretë po punojnë me paga të ulëta... Po vërejmë që (rritje të çmimeve) çdo qytetar jo veç unë vëren çmime. Sot është çmimi i ulët, nesër pa kurrfarë paralajmërimi del. Pse nuk po i rritin pagat, të ardhurat për qytetarët, e më pas le t'ua ngritin edhe çmimet”, ka thënë ai.

Që nga paralajmërimi për shtrenjtim të energjisë elektrike kanë filluar ngritjet e çmimeve sipas kryetarit të shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

“Vaj halli për konsumatorët” ka thënë ai derisa ka shtuar se tarifat e reja të energjisë kanë qenë “përkrahje” për ata që kanë dashur t’i rritin çmimet.

“Aty-këtu kanë filluar rritje të çmimeve që nga momenti i paralajmërimit të shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike që ka qenë një vendim ose një paralajmërim i pamatur i Qeverisë, ministrisë dhe ZRRE-së. Që atëherë është shkaktuar vala e ngritjes së çmimeve. Në një mënyrë ai paralajmërim ka qenë si mbështetje apo përkrahje për të gjithë ata që duan t’i ngrisin çmimet. Në momentin kur qeveria dhe ZRRE-ja e kanë paralajmëruar ngritjen e çmimeve është dashur të dalin edhe me masën e parandalimit të ngritjes së çmimeve para kohe. Ngritja e çmimeve është e sponzorizuar nga qeveria... Vaj halli për konsumatorin”, potencon Kaçaniku.

E kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, Hysni Sogojeva ka thënë se në zbatim të tarifave të reja të rrymës, çmimet në restorante dhe hotele, kanë nisur të rriten dhe kjo pason me reduktimin e klientelës. Si rrjedhojë e kësaj, Sogojeva potencon se bizneset janë gjithnjë e më të rrezikuara nga falimentimi.

“Sipas informatave që i kemi ne si odë, të jeni të bindur që shumica e bizneseve e sidomos ato të gastronomisë dhe hotelerisë mezi që janë duke qëndruar në këmbë të veta. Me këto shtrenjtime, zvogëlimi i klientelës dhe shumë gjëra që do të pasojnë në të ardhmen, është një problem shumë i madh dhe jetik... Veç kanë filluar diku, kafja ka filluar të bëhet 1 euro e 30 centë apo 1 euro e 40 deri në 1 e 50. Në momentin kur shtrenjtohet shërbimi, normal që klientela zvogëlohet. Me zvogëlimin e klientelës bizneset, edhe ashtu që nuk janë të ndihmuara nga shteti... Tani kur në Prishtinë tek rruga B qysh më herët kanë filluar, sepse nuk është gjendja e mirë...Shtrenjtimi i rrymës lidhet varg me shtrenjtimet e tjera”, ka thënë Sogojeva.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 16 prill ka aprovuar tarifën prej 16.1 për qind për shtrenjtimin e rrymës. Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.