Arbëri

Çka u punua e çka jo gjatë verës në Prishtinë?

Kujdesin e kanë të shtuar sa herë kalojnë këtej (pamje të rrugës me gropa), kjo pas gjendjes së rënduar që e ka tash e sa kohë segmenti i dytë i rrugës “Nekibe Kelmendi”, e që nuk u rregullua as gjatë gjithë verës.

Në maj të po këtij viti kryetari Përparim Rama së bashku me drejtorin e investimeve kapitale Krenar Xhaferi, patën premtuar që punimet në segmentin e dytë të rikonstruktimit të kësaj rrugë do të përfundojë para afatit kohorë që ishte 90 ditë pune.

E edhe pse punimet nuk kanë përfunduar ende edhe pas pesë muajve, Xhaferi thotë që pengesë në vazhdimin e punimeve, ishte moti me shi në muajin qershor.

“Këtu jemi në rrugën ‘Nekibe Kelmendi’, është faza e dytë e rrugë kjo që tanimë jemi duke punuar. Kemi pasur probleme dhe dëmtime në rrugë, një pjesë e rrugës ka qenë në uzurpim të pronës publike e kemi liruar. Jemi në zhvillim në punimeve e kemi asfaltuar pjesën e parë të rrugës në mënyrë që banorët të kenë akses. Unë besoj që brena dy javëve do ta kemi shtresën e parë të asfaltit, duke pretenduar që deri në fund të shtatorit ta kemi të përfunduar komplet infrastrukturën duke përfshirë këtu trotuaret. Ne i kemi edhe tre muaj ditë të mira të punës deri në përfundim të verës, vjet kemi asfaltuar deri më 15 dhjetor. Por mund të them që moti i keq na i penalizon punës si për shembull shiu i qershorit na e ka penguar punën në rrugën ‘A’, mund të them që kjo rrugë do të përmbyllet në afat siç e thash”.

240 ditë pune ishte afati i fundit kur do të përfundonte edhe faza e parë e projektit, shumë milionësh, rruga “Jim Xhema”.

Megjithatë punimet ende po vazhdojnë në rrugën që pritet të bëjë revolucion në komunikacionin e kryeqytetit, e cila pritet të mos finalizohet fare në këtë vit.

“Rruga ‘A’ është në zhvillim jashtëzakonisht të mirë në bazë të planit dinamik. Shumica e qershorit ka qenë më shi dhe ne në këtë rrugë kemi pasur që të bëjmë edhe gërmime nëntokësorë dhe kur ti e gërmon gjithë atë sasi, është dashur të krijohet një ngjeshje e mirë e nën bazës dhe shiu na e ka parandaluar këtë. E normalisht që qershori na ka penalizuar sa i përketë afatit kohor. Mirëpo dinamika e punimeve është e mirë. Në pjesën e Kalabrisë e kemi bërë mbylljen e kolektorit që është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Kolektori një pjesë e madhe është punua dhe do të vazhdojë nga rruga ‘Jurgen Petersen’, në drejtim të rrugës ‘B’. Afër 130 punëtor që punojnë standard në këtë rrugë”, tha Xhaferi.

Një gyp azbesti ishte bërë pengesë dhe punimet në rrugën “Xheladin Rekaliu” ishin ndërprerë për pak kohë.

Sipas Xhaferit, ishte gabimi i tyre që nuk e kanë skanuar më herët gjendjen e rrugës.

“Rruga ‘Xheladin Rekaliu’ e cila ka qenë në të gjitha mediat për vonesat që janë bërë atje e kemi hasur një gyp nëntokësorë i cili ka qenë gyp i azbestit pra gypi kryesor që kalon në lagjen ‘Bregu i Diellit’, ne nuk e kemi pasur informatën paraprake që është gabim sepse ne duhet ta kemi të skanuar të gjithë situatën para punimeve. ”

Gjendja nuk qëndron më mirë as nëpër rrugicat e lagjeve siç është “Uran Ajeti”, e që fillimi i pranverës dhe fundi i verës i ka gjetur banorët në hall më rrugën që nuk po përfundon.

“Rruga ‘Uran Ajeti’, e cila dikund katër kilometra rrjet i ka ndërtuar ndërmarrja ‘Termokos’ i ka ndërtuar para se të vijmë ne por nuk e ka ndërtuar në standarde që është dashur të ndërtohet. Në 30 centimetra ne kemi hasur gypa të tillë dhe infrastrukturë të tmerrshme nëntokësore dhe normalisht që kjo të penalizon në dinamikën e punimeve. Në shumicën e rrugicave në rrugën ‘Muharren Fejza’ e kemi këtë problem sepse po duhet t’i betonojmë gypat e ‘Termokosit’, mandej të vazhdojmë me punën”.