Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale do të vazhdojë derisa vendi vazhdon të mos njihet nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian, ka thënë ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.
Tahiri në “Konfront” ka treguar se çfarë fitoi Kosova me fusnotën dhe pse nuk hiqet.
“Kishim pesë vende mosnjohëse, ende i kemi. Kosova synonte sa më shpejtë të hyjë në integrim, hapi i parë ishte MSA-ja. Mirëpo, Bashkimi Evropian merr vendim me konsensus, pra të gjithë anëtarët duhet t’i thonë po një vendimi. Për të hyrë Kosova në procesin e parë për të shkelë drejt rrugës së BE-së, u deshtë që të gjitha vendet t’i thonë po. Këto pesë vende thoshin nuk e njohim”, ka thënë ajo.
Tahiri ka theksuar se pa njohjen e pesë shteteve mosnjohëse – Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia – nuk do të hiqet as fusnota.
“Fusnota hiqet në ditën kur këto pesë shtete na njohin”.
Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.
Tahiri: Votat për anëtarësim në KiE ekzistojnë moti, prej kohës tonë
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës ekzistojnë prej kohës së Qeverisë Thaçi, por që sipas saj më herët ka pasur rezistencë më të fortë nga Serbia e Rusia.
Kosova është optimiste se do të anëtarësohet në KiE gjatë majit, pavarësisht fushatave të Serbisë për ta kundërshtuar një gjë të tillë.
Tahiri ka thënë se Asociacioni nuk është kusht për anëtarësim në KiE.
“Votat për anëtarësim në KiE ekzistojnë moti, prej kohës sonë. Arsyeja pse nuk kemi përparuar ka qenë rezistenca e Serbisë dhe Rusisë. Pas largimit të Rusisë nga ky Këshill, u ul pak rezistenca. Është gëzim për ne nëse bëhet. Po shoh presione nga partnerët tanë që po thonë se nëse e bëni Asociacionin, Kosova bëhet anëtare. Nuk ekziston ky kusht. Nuk ka ligje. Diplomatët e bëjnë politikën e vet, por do të ishte gabim që Asociacioni të pranohej si kusht për anëtarësim në KiE”, ka theksuar ajo.
Tahiri: Vetëvendosja e ndaloi Asociacionin më 2015, tash e ka obligim që ta zbatojë
Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka thënë se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e vitit 2015 nuk kishte kompetenca ekzekutive. Ajo ka shtuar se Asociacioni është pranuar me kompromisin për njohjen e Kosovës shtet.
Tahiri është shprehur se rezistenca e Vetëvendosjes në vitin 2015 e ndaloi themelimin e Asociacionit, megjithatë sot i takon sërish asaj që si kusht ta zbatojë.
“Një asociacion që e bëmë ne më 2015 ishte pa kompetenca ekzekutive, morëm letrën e Mogherinit që garantonte se nuk kishte kompetenca ekzekutive. Kushtetuta jonë nuk tha anulojeni, kthehuni në Bruksel. Ndodhi që parlamenti me u mbush me tym dhe aq shumë u destabilizua gjendja në parlament sa kur vinin aleatët, kur e panë që situata po destabilizohet thanë nuk ju detyrojmë deri te prishja e stabilitetit të Kosovës. Rezistenca e VV-së ka pasur sukses për ndaljen e zbatimit të Asociacionit, por atëherë patën sukses me ndalë asociacionin, tash ajo iu ka dalë atyre obligim që ta zbatojnë”, ka thënë ajo në “Konfront”.
Tahiri ka shtuar më tej se edhe për kryeministrin aktual, Asociacioni është “armë” edhe sot.
“Ligji i pushtetit lokal i Kosovës i dalë pas pavarësisë thotë: në Kosovë do të ketë më shumë se një asociacion për komuna. Pra është kompromis i Vjenës. Edhe në kohën kur delegacioni i Kosovës e ka asociacionin në Vjenë, pse e dha? E dha për pavarësinë. Pasi që ne pranuam ato kompromiset e mëdha për pakicën serbe, përfshirë asociacionin, në këmbim morën njohjen, deklaruam pavarësinë. Ishte kompromis me arsyetim. Edhe tash Kurti e ka asociacionin, sa duket problem, aq është një armë për të luftuar për njohjen e pavarësisë”.
Tahiri: Kurti po merret me beteja të vogla si targat e dinari
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti i ka humbur betejat e mëdha në dialog e po merret me beteja të vogla, që ajo i ka konsideruar se janë çështja e targave dhe dinari.
Tahiri në emisionin “Konfront” në KTV u shpreh se Kurti do duhej të fokusohej në gjërat e mëdha.
“I provoi targat. Atë marrëveshje kush e kishte bërë? Unë. Targat janë gjë e vogël në raport me fushat e shtetit në veri. Ku janë gjykatat? Kush po vepron me drejtësinë në veri? Kush e shërben drejtësinë në veri? Duke dështuar në betejat e mëdha në dialog, e humbi njohjen reciproke, e pranoi Asociacionin, atëherë ky po i mbush me beteja të vogla. Targat e dinari janë çështje të vogla. Në vend se të fokusohet në gjëra të mëdha, Kurti harxhon energji në gjëra të vogla”, ka thënë ajo.
Si ish-kryenegociatore, ajo i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës “të insistojë para botës që do ta bëjë Asociacionin sipas Kushtetutës, por Serbia duhet ta japë njohjen de-jure”.
Tahiri: Kosova në pozitë të rëndë - e sulmuar, e ndëshkuar dhe e nënshtruar
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, nuk sheh se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndryshuar që kur ajo ishte në krye të negociatave.
Tahiri në emisionin “Konfront” në KTV ka thënë se Kosova nën qeverisjen e Albin Kurtit është sulmuar dhe ndëshkuar, e se Qeveria nuk ka dhënë shpjegim për këtë.
Sipas saj, Kurti “e dështoi historikisht Kosovën” pasi, siç ka thënë ajo, ai bëri marrëveshje në Bruksel pa njohje reciproke.
“Raportet mes të dyja shteteve nuk janë më të mira prej kohës kur kam qenë unë në krye të negociatave në emër të Kosovës. Kosova ka një pozitë shumë të keqe, të rëndë sepse Kosova është e nënshtruar, e sulmuar, siç u sulmua në Banjskë nga Serbia, dhe e ndëshkuar. Ndërkohë, Serbia edhe na sulmoi në Banjskë, nuk është e ndëshkuar dhe deri sot nuk dëgjuam një qeveritar tonë që t’i shpjegojë popullit si është e mundur edhe u sulmuam, edhe u ndëshkuam. Dhe pse Serbia nuk u ndëshkua. Ka diçka në procesin e Banjskës, se nuk është kot që na ndëshkuar aleatët, por u deshtë që Qeveria ta shpjegojë”, ka thënë ajo.