Arbëri

Çka është interes kombëtar i Shqipërisë e çka i Kosovës, sipas Spahiut

Nexhmedin Spahiu

Opinionisti i emisionit “Konfront”, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se në momentin kur një komb nuk jeton në një shtet, atëherë nuk mund të kenë interesa të njëjta. 

Sipas tij, Shqipëria ka interesa të tjera kombëtare për dallim nga Kosova. 

"Interes kombëtar i Shqipërisë është të tërheq sa më shumë turistë nga Serbia, për shembull. Me këtë fiton ekonomikisht, por nga kjo ekonomi nuk u rritet paga ushtarëve të FSK-së, për shembull", ka thënë Spahiu. 

Më këtë qëndrim të Spahiut, nuk u pajtua njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula. 

Sipas tij, interesat kombëtare janë të njëjta në Shqipëri e Kosovë.


Demaku: Kosova ka arritur shumë, por ka stagnuar prej se ka ardhur Qeveria Kurti

Dafina Demaku, kryeredaktore në Nacionale, ka thënë se në shënimin e 25-vjetorit të çlirimit “jemi pikë e pesë” si shoqëri, duke arsyetuar se aktivitetet në këtë përvjetor po bëhen veç e veç.

Sipas saj, si ditë e çlirimit në Kosovë do të duhej të shënohej një datë të veçantë për të gjithë.

“Kjo nuk ndodh sepse fatkeqësisht krejt qeveritë, estabilishmenti politik, iu ka kthy të kaluarës duke e shfrytëzuar atë të kaluar në mënyrën si i ka konvenuar. Ne jemi shoqëri që nuk po mundet me u marrë vesh se në faza të caktuara kontributi i kujt në çka është. Për këtë vijmë në përfundimin se gjithkush i shënon ditët e çlirimit kështu siç po i shohim”, ka thënë ajo.

Demaku ka theksuar se përgjatë vitesh është shënuar progres, por se sipas saj, me ardhjen e Qeverisë Kurti përparimi ka stagnuar.

“Ka shumë arritje përgjatë vitesh, është Pavarësia, ka autostrada, FSK-në, Kosova i ka mbi 100 njohje, është e anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, por fatkeqësisht Kosova e ka një stagnim në krejt këto çështje prej se në pushtet është Qeveria Kurti”, ka deklaruar Demaku në “Konfront”.


Spahiu: Shpallja e 12 qershorit Ditë e Çlirimit, absurde

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, e ka cilësuar absurde shpalljen e 12 qershorit si Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Të martën në debatin “Çerek shekulli të çliruar”, Spahiu ka thënë se e gjithë Kosova do të duhej ta festonte datën 10 qershor si ditë çlirimi, pasi atë ditë ka ndodhur kapitullimi i Serbisë. 

“Është caktuar zyrtarisht 12 qershori Ditë e Çlirimit të Kosovës. Kjo është dëshmia më e fortë që ne nuk i kemi punët mirë me logjikën, si mund të jetë 12 qershori Dita e Çlirimit të Kosovës, e të jetë 18 qershori Dita e Çlirimit të Skenderajt, e Mitrovica të mos ketë fare ditë çlirimi, Leposaviqi, Zveçani e të tjerët. Serbia ka kapitulluar në Kosovë më 10 qershor 1999 kur është miratuar Rezoluta 1244, tërheqja e forcave serbe ka qenë pastaj çështje teknike, e gjithë Kosova do të duhej ta festonte datën 10 qershor. Dita e Çlirimit të Kosovës duhet të jetë 10 qershori, e jo 18 qershori të jetë për Skenderajn e 10 qershori për Kosovën, kjo i bie sikur Skenderaj nuk është në Kosovë”, është shprehur Spahiu. 


Pula: Disa batakçinj e kanë vjedhur Kosovën, por më shumë ka pasur gjëra të mira

Analisti Shqiprim Pula ka thënë se disa batakçinj që i kanë hyrë politikës e kanë vjedhur Kosovën, por në përgjithësi sipas tij, ka pasur gjëra më të mira sesa negative.

Duke analizuar Kosovën pas çerek shekulli çlirim, Pula ka thënë se qëllimisht po përmend gjërat më të këqija për “ta ditur qytetarët se pse njerëzit duhet t’i futen politikës”.

“Mendoj që Kosovën e ka përcjell edhe një problematikë në kuptimin e individëve që janë futur në politikë për ta gjetur veten, fatkeqësisht shumë prej tyre kanë qenë planprishës, batakçinj, hajna, të cilët jo vetëm në mënyrë tinzare kanë përfituar në mënyrë materiale, por në mënyrë të kundërligjshme kanë vjedhur të ardhmen e qytetarëve dhe si pasojë e tyre kemi pasur ngecje. Procesi i dialogut ka konsumuar shumë pushtetet. Kemi më shumë gjëra të mira sesa negative, por këto po i përmendi qëllimisht pasi qytetarët duhet ta dinë se në politikë njerëzit duhet të hynë për të dhënë kontribut, por jo për ta rregulluar statusin e tyre material”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.