Arbëri

Çitaku – Kurtit: Do të mbahesh mend si kryeministër i autonomisë politike për serbët

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në konferencë për media

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi ai përmendi marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 me Serbinë që ishin nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm. 

Ajo ka thënë se me Marrëveshjen bazike të vitit të kaluar Kurti ia ka humbur njohjen e ndërsjellë vendit dhe i ka sjellë pasoja. 

“Ndërkaq, Albin Kurti, i cili sot ka mbushur 1124 ditë si Kryeministër, i dyti më jetëgjatë në vend, do të mbahet mend vetëm si Kryeministri i Autonomisë Politike për serbët e pjesës veriore të Kosovës. Marrëveshja bazike të cilën ai e ka pranuar vitin e kaluar në Bruksel, i ka humbur njohjen e ndërsjellë Kosovës dhe i ka sjellë një sërë pasojash afatgjate dhe të patjetërsueshme vendit – që tkurrin sovranitetin e shtetit tonë”, ka thënë ajo.

Çitaku e ka krahasuar qeverisjen e Kurtit me atë të Hashim Thaçit duke e kritikuar se nuk ka bërë asgjë në mbi 3 vjet mandat. 

“Nëse Hashim Thaçi ka ndërtuar autostrada moderne, shkolla, i ka rritur pagat, ka ndërtuar institicuionet dhe ka vënë në binar funksionimin e shtetit – trashëgimia e vetme që do t’i mbetet në CV-në e tij si Kryeministër Albin Kurtit, mbetet Ura tri metra e Saradranit. Kaq, rreth krahasimit tënd kaq të dëshiruar me Presidentin Thaçi, Kryeministër. E di që po të mungon, meqë po vazhdon ta përmendësh çdo ditë, por duro edhe pak. Dielli do të lind përsëri”, ka shtuar tutje Çitaku.