Arbëri

Çipa: Administrata Trump do të ketë angazhim të drejtpërdrejtë për ta zgjidhur konfliktin Kosovë - Serbi

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa, ka vlerësuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën Trump pritet të kenë rol të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Serbisë ka qenë më i butë ndër vite, ndërsa së fundmi ka një reflektim dhe një qasje më të drejtpërdrejtë nga ana e bllokut. Së fundmi, BE-ja vlerësoi se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur në mënyrë të qartë Marrëveshjen e arritur mes Serbisë dhe Kosovës për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

“BE-ja është kritikuar shpesh për qasjen e saj të butë ndaj Serbisë, ndërsa tani ka një ndryshim në mënyrën se si zëdhënësit e saj po adresojnë çështjet në rajon. Më vjen mirë që po evidentohen shkeljet e Serbisë ndaj angazhimeve të saj ndërkombëtare në raport me Kosovën”, ka thënë Çipa në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai theksoi se Serbia do të përballet me më shumë presion për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me BE-në, ndërsa SHBA-ja, e cila historikisht ka mbështetur dialogun e udhëhequr nga BE-ja, mund të marrë një rol më aktiv në këtë proces.

“Kjo që po ndodh tani me politikën e jashtme të administratës Trump është një impuls pozitiv. SHBA-ja pritet të angazhohet drejtpërdrejt për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi, duke krijuar edhe hapësira bashkëpunimi në fusha të tjera, si biznesi, që do të ndikojnë në prosperitetin e Kosovës”, ka deklaruar Çipa.

Sipas tij, administrata e re amerikane mund të ndihmojë në çuarjen përpara të dialogut dhe në krijimin e kushteve për një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve.