Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka dhënë versionin e Qeverisë së Kosovës për mosdakordimin me emisarin gjerman për Ballkanin, Manuel Sarrazin, për çështjen e marrëveshjes rajonale për Tregti të Lirë (CEFTA).
Një ditë më parë, Sarrazin akuzoi Kosovën për bllokim dhe paralajmëroi vazhdimin përpara me vendet e rajonit pa Kosovën. Ndërkaq, të premten, Zulfaj ka thënë se Kosova ka pranuar që t’i vihet asterisku në emër, por jo që t’i heqë masat e sigurisë ndaj mallrave serbe.
“Kosova është bërë pjesë e CEFTA-s më 2006. Atë kohë UNMIK-u ka nënshkruar për Kosovën dhe e ardhmja është lënë t’u definohet autoriteteve të ardhshme të Kosovës. Kosova është e pavarur nga viti 2008 por në CEFTA situata s’ka ndryshuar. Më 2021 kur kemi ardhur kemi pa që s’ka pas kërkesë zyrtare të deponuar te CEFTA nga Kosova që tash e tutje të përfaqësohet në mënyrë direkte. E kemi bërë një letër zyrtare si gjënë e parë”, ka thënë Zulfaj në “Interaktiv”.
Ai ka thënë se Kosova ka kërkuar vetëm barazi, por se kjo është bllokuar menjëherë nga Serbia.
“Kërkesa jonë është e drejtë. Dhe pse është e drejtë ka pasur mirëkuptim edhe nga BE-ja që ka tentuar ta adresojë këtë çështje, por kur është involvuar Gjermania dhe Sarrazini - ishte në kohën më 2022 kur kishim dy vjet që po negocionim brenda Procesit të Berlinit. Aty kemi shtruar kërkesën që nëse s’jemi në organizatë rajonale pa barazi s’është e pranueshme. Kërkesa ka mbetur aty. Prej 2021 kemi bllokadë nga Serbia. Kompromisi ka qenë që të jemi pa asterisk si periudhë kalimtare. Ia kemi ofruar këtë Sarrazinit”, ka thënë ai.
Kërkesën që ndaj Serbisë të hiqet masa e sigurisë për mallra, Zulfaj e ka arsyetuar duke thënë se ajo është vendosur për shkaqe sigurie dhe jo tregtare.
Sipas Zulfajt, Gjermania dhe Sarrazini presionin dhe kërkesat duhet t’i drejtojnë nga Serbia “nëse qëndrojnë për barazi”.