“Cilat janë premtimet e partive për diasporën?” qe tema mbi të cilën u debatua në “Zgjedhjet në KOHË” të premten. Të ftuar ishin të katër partitë parlamentare, ndërsa në debat morën pjesë Liza Gashi e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ukë Blakaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Bashkëpunimi me Radoiçiqin” përplas Gashin e VV-së me Blakajn e AAK-së
Çështja e kryeterroristit të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiqi, ka përplasur në KTV kandidatët për deputetë, Liza Gashi e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Ukë Blakaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Gëzohem që për AAK-në siguria është prioritet. E kemi pa AAK-në në qeverisje e dimë shumë mirë se çfarë ka bërë në qeverisje. Lideri juaj e ka pritur në zyrë Milan Radoiçiqin, ka bashkëpunuar ngushtë me Radoiçiqin”, ka thënë Gashi e VV-së.
Ndërsa Blakaj u përgjigj duke thënë se atë kohë, Radoiçiqi ka qenë person zyrtar dhe legjitim. Ai e ka akuzuar pushtetin aktual për bashkëpunim “tinëz” me të.
“Radoiçiqi atë kohë ka qenë legjitim dhe ju e keni takuar në mënyrë të fshehtë e iu kanë dalë ato gjëra, i keni incizimet që keni biseduar fshehtë (referuar incizimeve të shefes së GP të VV-së, Mimoza Kusarit). Kryetari jonë ka qenë kryeministër, e Radioçiq në partinë Lista Serbe”, ka thënë ai.
Në kundërpërgjigje, Gashi ka thënë se diaspora duhet ta dijë se “me Qeverinë Kurti veri tash është si nata me ditën”.
Gashi: Pa VV-në, mërgata do të ishte e shkyçur nga vendimmarrja në Kosovë
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Liza Gashi, ka thënë se mërgata është përfshirë në proceset vendimmarrëse të Kosovës falë angazhimit të Qeverisë Kurti.
Ajo lavdëroi vendimet e partive politike që në listë të kenë kandidat nga diaspora. Edhe kjo, sipas saj, është arritur falë LVV-së.
“Gëzohem shumë që në Kosovë më nuk diskutohet për mërgatën si sasi, por kyçjen e tyre direkte në institucione. Gëzohem që secila parti ka vendosur mërgatën në planet e tyre. Është falë angazhimit të pashoq të Lëvizjes Vetëvendosje. Sikur LVV-ja të mos angazhohej në këtë terren, mërgata do të ishte e shkyçur nga vendimmarrja në Kosovë. Gëzohem që partitë kanë vendosur të kandidojnë me kandidat për deputet nga diaspora”, ka thënë ajo në “Zgjedhjet në Kohë”.
Teksa Ukë Blakaj i AAK-së akuzonte se LVV-ja nuk ka ndërmarrë asgjë për mërgatën, Gashi ka thënë se kanë zhvilluar mbi 200 takime në çdo cep të botës për t’i kuptuar nevojat e tyre, të cilat thotë se janë futur në planprogram.
“Me marrjen e mandatit, unë kam qenë bashkë me ministren Gërvalla në Stuttgart, Mynih, në çdo cep ku kemi pasur takime bilaterale. Për herë të parë, mërgata është trajtuar si partner i barabartë. Që në start, kemi filluar dialog të dyanshëm. Detyra parësore prej që jam futur në qeverisje ka qenë të krijojë një mekanizëm që ka komunikim të dyanshëm. Mbi 200 takime janë mbajtur në çdo cep të botës për t’i kuptuar nevojat e mërgatës të cilat janë futur në program”, ka thënë Gashi, e cila ka shërbyer si zëvendësministre në Ministrinë e Jashtme gjatë kësaj qeverisje.
Blakaj i AAK-së: Diaspora s’do të jetë e njëjta si e pesë vjetëve më parë
Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ukë Blakaj, ka thënë se diaspora nuk do të jetë e njëjtë sikur në zgjedhjet e kaluara parlamentare.
Blakaj, që gjithashtu jeton në diasporë, në “Zgjedhjet në Kohë” të premten u shpreh se beson se kësaj radhe, diaspora do të votojë të gjitha partitë.
“Së pari dua të them se diaspora është e të gjithëve. Diaspora nuk mundet të jetë vetëm në një orientim, qysh është thënë edhe më herët. Besoj fuqishëm që do të votojnë edhe Aleancën, edhe partitë e tjera. Nuk e shoh që kësaj radhe diaspora qëndron ashtu qysh kanë qëndruar para pesë vjetëve”, ka thënë ai.
Blakaj ka pasur kritika për Lëvizjen Vetëvendosje, të cilën e akuzoi se nuk e ka mbajtur asnjë premtim për diasporën.
“Përpara nuk kam qenë në politikë, kam qenë i kyçur në shoqata të ndryshme, mirëpo ajo që më ka shtyrë të hy në politikë është mosrealizimi i premtimeve në disa fusha, sidomos atyre që na kanë prekur neve si biznese për të investuar në Kosovë. Plani ka qenë që investimet të orientohen në Kosovë, por kjo s’ka ndodhur. Megjithatë ato premtime, nuk janë realizuar. Jemi anashkaluar si shoqëri që jetojmë atje, janë anashkaluar edhe ata të gjithë që e kanë mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje”, u shpreh Blakaj.