Shqipëria nuk do të bëjë thuajse asgjë nëse në Kosovë nis një luftë tjetër, ka thënë gazetari Ben Andoni.
“Gati 90% nuk do bëjë asgjë”, ka thënë ai në “Konfront”.
Andoni ka theksuar se barra i bie KFOR-it dhe njerëzve të Kosovës në një rast të tillë, teksa Shqipërinë nuk e sheh të përfshirë.
“Shqipëria gjithmonë e më shumë është më apatike për Kosovën, sepse në strukturat e veta nuk e njeh dhe narracioni për Kosovën ngrihet vetëm në momente kur Shqipëria ka djerrinë me lajme. Ndërkohë që problemi më i madh duhet të ishte momentumi që të bashkonim shumë gjëra... Barrën më të madhe e ka KFOR-i dhe njerëzit e Kosovës. Nuk shikoj në Shqipëri të ketë atë frymën që ka pasur dikur për Kosovën. Tani Kosovën pjesa më e madhe e shohin si shtet tjetër dhe jo si vend me komb të njëjtë”.
Andoni: Serbia po e bën institucion ‘Botën serbe’, është shqetësuese
Gazetari Ben Andoni ka thënë se është për t’u shqetësuar fakti që Serbia po e bën si institucion të ashtuquajturën “Botën serbe”.
Sipas Andonit, institucionet e Kosovës filluan të flinin pas vitit 2010 kur u desh të mendohej për hapat e shtetformimit.
“Në rastin e Kosovës është shumë e vështirë përballë Serbisë. E para që Serbia vazhdon të intensifikojë një retorikë mjaft të sikletshme. Për Kosovën ka ndodhur diçka jo e mirë pas vitit 2010 kur mori verdiktin e GJND-së. Ndërkohë që autoritetet institucionale të Kosovës duhet të mendonin për hapa e mëtejshëm të shtetformimit të Kosovës, duket që Kosova filloi të flinte dhe pastaj pasuan ato hapat, siç ishte futja në dialog. Dialogu ka qenë më i suksesshëm në fillim, por ja ku jemi sot. Serbia tashmë po e bën institucion ‘Botën serbe’ dhe ai takimi në Parlament i sllavëve të Ballkanit është ndër hapat e para për hapat që serbët do të ndjekin në vazhdim”, ka thënë ai në “Konfront”.
Andoni ka pritur që administrata e Joe Biden të bëjë më shumë për Kosovën.
Gjinovci: Kombinimi Trump - marrëveshja për litiumin, mund të çojë në luftë në Kosovë
Sipas opinionistit Rron Gjinovci, Kosova mund të rrezikojë një konflikt të armatosur nëse në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës fiton Donald Trump, kjo edhe pas marrëveshjes së Serbisë me Gjermaninë për litiumin.
Gjinovci në “Konfront” ka thënë se Perëndimi i mbështet shtetet që ka interes nga to ose ato që i sheh si faktor destruktiv. E, të dyja Serbia i ka plotësuar, ka theksuar ai.
“Problemi kryesor është me zbulimin e rezervave të litiumit në Serbi me të cilin nënshkroi marrëveshje me Gjermaninë. Kjo është relativisht e rrezikshme për Kosovën, sepse në fund ngadhënjejnë interesat ekonomike. As Amerika as askush nuk na do pse jemi ne, po nëse ka një interes prej nesh, ose nëse jemi faktor i fuqishëm i destabilizimit të mundshëm. Ose kur dikush ka fuqi destruktive është faktor, ose kur ka faktor ekonomik. Serbia i ka të dyja (marrëveshjen për litiumin dhe fuqinë destruktive) prandaj ka qenë favoritja e Perëndimit, jo në kuptimin se ata e kanë përqejf Serbinë, por se detyrimi i tyre ka qenë të bëhet me Serbinë e të mundohen që Kosovës t’i thonë kryejeni edhe këtë për ne, në një formë kanë arritur ta çojnë Kosovën në një pikë ku jemi jashtëzakonisht të vështirë”, ka potencuar ai.
Gjinovci është shprehur se pa përfunduar zgjedhjet në SHBA, nuk mund të ketë marrëveshje domethënëse mes Kosovës dhe Serbisë pasi, siç ka thënë ai, asnjëra nga to nuk e sheh Evropën si garantuese për marrëveshje.
“Kjo nuk është koha që ka punuar në favor tonë, mund të kthehet në më të keqen për ne. Nëse në zgjedhjet në SHBA fiton Trumpi në kombinim për litium që Serbia ka bërë me Gjermaninë, me një kombinim të tillë mund të shndërrohet në diçka shumë negative për ne dhe të na çojë te situata kur nuk mund ta shmangim konfliktin e armatosur”.
Sopi: BE-ja me Marrëveshjen e Brukselit pati synim ta manipulojë Kosovën
Analisti Agim Sopi ka thënë se Bashkimi Evropian me Marrëveshjen e Brukselit ka pasur synim ta manipulojë Kosovën përkatësisht klasën e re politike që erdhi në udhëheqje të vendit.
I ftuar në “Konfront” të martën, Sopi u shpreh se ka qenë i bindur se Marrëveshja e Brukselit nuk do të ndryshojë asgjë në raportet Kosovë – Serbi. Por tash thotë se e ka kuptuar “qëllimin djallëzor” të BE-së.
“Kur ka ndodh Marrëveshja e Brukselit, unë kam thënë që është marrëveshje sa për të blerë kohë sepse nuk do të ndryshojë asgjë. Tash i erdhi fundi, nuk ndryshojë asgjë. Atëherë kam pas ndoshta një botëkuptim jo fort të kristalizum për qëllimin e marrëveshjes dhe tani është zbuluar lakuriq... kjo marrëveshje ka pasur një qëllim, një qëllim shumë djallëzor të Bashkimit Evropian. Ai qëllim ka qenë ta manipulojë Kosovën, klasën e re politike, ta fus në një hendek nga i cili nuk mund ta sheh vizionin e fushës saktësisht se çfarë po ndodh. Dhe derisa ajo ta kupton çka po ndodh jashtë hendekut, puna do të kryhet”, ka thënë Sopi, duke shtuar se puna ka qenë ndarja e Kosovës (krijimi i Asociacionit).