Arbëri

Çerkinaj: Vendorët aspak seriozë për fatin e të pagjeturve, s’ka gatishmëri për realizim të planprogramit

Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur

Bajram Çerkinaj nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur ka thënë se pushtetarët vendorë nuk e kanë marrë me seriozitet çështjen e të pagjeturve.

Ai ka thënë se nevojitet seriozitet, planprogram dhe kërkesë te ndërkombëtarët për bashkëpunim, por sipas tij, kjo gjë nuk po ndodh.

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Çerkinajka thënë se asnjë premtim nuk është realizuar, madje nuk ka as bashkëpunim të tyre me qendrën të cilën e përfaqëson. 

“Vendorët aspak nuk e kanë seriozisht për fatin e pagjeturve. Ata nuk janë në gjendje një planprogram ta realizojnë. Nuk guxoj t’u them familjarëve që kanë bërë ndonjë hap në atë që e kanë premtuar. Komisioni qeveritar nuk e mbaj në mend kur na ka ftuar. Për informim, sidomos qendrën burimore të cilën unë e përfaqësoj, asnjëherë nuk jemi të thirrur. Asnjë ftesë nuk e kam nga komisioni qeveritar. Po e kritikoj mospunën e qeverisjes aktuale. Nuk duan të bashkëpunojnë me ne, çka do të ndodhë nuk e di. Kemi pasur një kërkesë për t’u takuar me Lajçakun nesër. Nuk e di a na pranon apo jo. Nuk mundem më të rroj duke më fyer e duke mos ma thënë të vërtetën për personat e pagjetur. Nevojitet seriozitet, planprogram dhe kërkesë te bashkësia evropiane dhe te aleatët që na kanë çliruar. Këto tri gjëra duhet t’i kenë prioritet”, ka thënë ai. 

Çerkinaj ka shtuar se as kërkesat për qasje në imazhet satelitore nuk bëhen në mënyrë të duhur.  

“Ambasadorit amerikan i kam thënë pse nuk po na jepni imazhet satelitore, më ka thënë se na duhet të shkojmë përmes kryqit të kuq ndërkombëtar, nuk kemi të drejtë vetë të shkojmë. Ka kërkesa, por jo si duhet të bëhen”, është shprehur ai. 

Ai ka vlerësuar se as Brukseli nuk është treguar i sinqertë lidhur me premtimet për personat e pagjetur. 

“Është lajmëruar se nesër do të ketë vizitë Lajçaku në Prishtinë. Lajçaku mund të them se e ka ngrirë komplet grupin dialogues në Bruksel. Ka qenë mysafir edhe në qendrën burimore, ka premtuar se do të punohet për çështjen e personave të pagjetur, do të formohet një komitet që do t’i kontrollojë negociatat për personat e pagjetur që të kanë edhe një afat e jo kështu pa asgjë konkrete. Sot në këtë aspekt jemi zero. Në këtë proces jemi në zero. Brukseli është në zero. Të gjitha temat që preken në Bruksel, përflitet siguria, asnjëherë nuk u bisedua për atë që e kanë premtuar për personat e pagjetur”, ka theksuar Çerkinaj.