Arbëri

Ceremonia e inaugurimit të presidentit pa mbështetje në Kushtetutë e ligje

Rituali i organizuar para se Vjosa Osmani ta niste detyrën e shefes së shtetit u shpik pesë vjet më parë, kur Hashim Thaçi ishte bërë president. Ceremonia e së martës qe shumë më e zbehtë se e pesë vjetëve më parë. Pati disa ngjashmëri në të e nuk munguan as dallimet

Kur pesë vjet më parë Hashim Thaçi u bë president i Kosovës, një ritual është shpikur. Është ai që përbën ceremoninë e kreut të shtetit.

Ceremonia nuk gjen mbështetje në Kushtetutë a në Ligjin për protokollin e shtetit.

Madje, në nenin 21, ligji e saktëson skenarin e ceremonisë. Aty tregohet se si ajo zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Rezidencën e Presidentit.

“Ditën e caktuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit; Intonohet himni shtetërorë i Kosovës. Kryetari i Kuvendit fton presidentin për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit”, thuhet në këtë nen. “Mbas Kuvendit të Kosovës, ceremonia presidenciale vijon në Rezidencën e presidentit”.

Të dyja këto janë zhvilluar, pasi të dielën Vjosa Osmani është bërë numri një i Kosovës. Megjithëkëtë, të martën gruaja që e pasoi Thaçin në detyrë, e riktheu të njëjtën ceremoni, ani se në version shumë më të zbehtë.

Ndryshim përbëjnë përmasa e ceremonisë, sheshi ku ajo u organizua dhe personalitetet e shkrira në bronz, që u rrinë në sfond.

Për Thaçin ceremonia ishte organizuar në sheshin “Skënderbeu” dhe në sfond të platosë që ndodhej përballë diku 1 mijë mysafirëve ndodhej heroi kombëtar.

Për Osmanin ceremonia u organizua në sheshin fqinj “Ibrahim Rugova”. Në sfond aty ishte ish-presidenti i parë, nga personaliteti i të cilit, presidentja Osmani ka thënë prej kohësh se frymëzohet.

Të tjerat dallime janë më të vogla.

Në tepihun e kuq, Thaçi po shoqërohej nga shefja e deriatëhershme e shtetit, Atifete Jahjaga, e të cilët paraprakisht ishin në zyrën e presidentit.

Ndërkaq, nga shtëpia, Osmani po vinte me një eskortë, së cilës ia hapnin rrugën pesë motoçikleta policie. Thaçi nuk e priti, meqë prej pesë muajsh kur dha dorëheqje, ndodhet në Hagë, nën akuzat për krime lufte. Është kryeparlamentari Glauk Konjufa që e bëri pritjen, meqë në mungesë presidenti, ai e ushtronte këtë detyrë.

Si atëherë, edhe tash presidenti i ri merr raportin e parë nga Forca e Sigurisë e Kosovës si komandant suprem, përpara se të nisë intonimi i himnit kombëtar.

Pastaj, parakalojnë para Gardës Ceremoniale dhe i përulen flamurit.

Jahjaga ia pati dorëzuar Thaçit Kushtetutën, si simbol i nderit dhe detyrës së tij. Ishte ceremoni kjo, kur tre pjesëtarë të Gardës e dorëzojnë atë, nën tingujt marshues të daulles.

“I nderuari president jua dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës që përcakton ardhmërinë e Kosovës, si shtet të lirë, të pavarur, si shtet demokratik dhe paqedashës, dhe shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Kam mbrojtur këtë Kushtetutë me tërë qenien time. Ky themel i shtetit tonë ka qenë udhërrëfyes në realizimin e të gjitha veprimeve për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të ardhmen e tyre dhe në çdo veprim timin”, pati thënë Jahjaga, para se ta lansonte porosinë për pasardhësin e saj në fronin presidencial. “Mbroje këtë Kushtetutë të shtetit tonë dhe synoje qëllimin e saj që të gjithë qytetarët e saj të jenë të barabartë, të lirë, dhe ta duanë vendin e tyre”.

Thaçi e kishte pranuar dhe ishte zotuar të jetë gardian i aktit më të lartë juridik të Republikës.

“E nderuar presidente, do ta ruaj, do ta kultivoj Kushtetutën e Republikës së Kosovës, simbolin dhe bazën elementare të shtetësisë së Kosovës, në unitetin tonë politik, qytetar. Do të jem gardian i Kushtetutës, i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i Kosovës si atdhe i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, pati thënë Thaçi. “Zotohem para jush, para të gjithë qytetarëve të vendit, institucioneve të Kosovës, miqve ndërkombëtarë, se do ta respektoj dhe do të jem rojë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Nën tingujt e njëjtë e me ceremoni të ngjashme, të njëjtën e bëri Konjufca për Osmanin. Por nuk u dëgjuan të thonë diçka në këtë episod të ritualit.

Thaçi kishte mbajtur fjalimin presidencial 22-minutësh para diku 1 mijë mysafirëve në ceremoninë e bojkotuar nga opozita.

Sa gjysma e kohës së këtij fjalimi, zgjati i gjithë rituali i organizuar për Osmanin, e në të cilin nuk pati fjalime, mungoi opozita e pati pak mysafirë.

Pesë vjet më parë Filarmonia organizoi program special për pjesëmarrësit.

Tani, krejt çfarë u pa ishte një shfaqje me përgjunje e rrotullime armësh që demonstroi Garda Ceremoniale.

Me t’u përmbyllur kjo, presidentja e re bashkë me bashkëshortin e dy vajzat hapëroi tepihut të kuq për në Presidencë, në zyrën ku do të qëndrojë për pesë vjet rresht.