Minimumi 10 euro duhet të paguajnë prindërit për të ndihmuar në përfundimin e objektit të ri të institucionit parashkollor “Xixëllonjat”. Megjithëse thuhet se kjo u nis si iniciativë për fond vullnetar nga vetë prindërit, kjo tani është vulosur edhe si vendim mes institucionit e Këshillit të Prindërve.
Këshilli Drejtues i Institucionit ka mbajtur takim me Këshillin e Prindërve më 17 shtator dhe aty është diskutuar veçanërisht për hapjen zyrtare të objektit të ri në lagjen Pejton të çerdhes “Xixëllonjat”.
Me fondin e mbledhur, sipas asaj që thuhet në vendim, parashihet të blihen lodra, mjete të ndryshme për ushqim apo aktivitete të fëmijëve dhe gjësende tjera të nevojshme, të cilat do të përdoren nga fëmijët e të gjitha moshave.
“Si rezultat i një nisme nga prindërit, u vendos që ata të krijojnë një Fond Vullnetar për të mbështetur Institucionin, ashtu që të përshpejtohen dhe përmbushen nevojat e brendshme të objektit të ri, si shtesë e investimeve të bëra tanimë dhe atyre të planifikuara nga Komuna”, thuhet në vendim.
Në bazë të këtij vendimi, “secili prind i interesuar ka mundësi të japë një kontribut vullnetar në vlerë prej minimum 10 euro, me mundësinë që secili të kontribuoj edhe më shumë, sipas kapacitetit dhe dëshirës personale”.
E, kontributet prindërit janë udhëzuar t’i dorëzojnë tek mësueset e klasave.