Arbëri

Cengu: Unë dhe familja duam drejtësi për djalin që e vranë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra” dhe 4 të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Visar Cengut, në janar të vitit 2023. Në gjykatë dëshmoi babai i viktimës, Behar Cengu, i cili kërkoi drejtësi për djalin. Në këtë rast ka dëshmuar edhe një dëshmitar tjetër.

Dy dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre të enjten në gjykimin kundër Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra” dhe katër të akuzuarve të tjerë për vrasjen e Visar Cengut në janar të vitit 2023, në lokalin “Cobra City”, në Prizren.

Dëshminë e tij, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e nisi babai i viktimës Behar Cengu.

Në pyetjet që i bëri prokurorja Merita Bina-Rugova, dëshmitari Cengu ka treguar se si ka kuptuar për humbjen e djalit.

Cengu para trupit gjykues ka kërkuar drejtësi për të birin.

“A mund të tregoni diçka se si e ka humbur jetën Visari?”, ka pyetur prokurorja.

“Sa herë që ka ardhur nga mërgimi ka ardhur në Kosovë. Nuk kemi dëgjuar se djali ka pasur diçka me vete, ndoshta edhe lekë nuk ka pasur në kohën kur ka dalë nga shtëpia. Djali nuk ka poseduar armë. Unë dua drejtësi karshi djalit, unë dhe gjithë familja ime”, ka thënë dëshmitari Cengu.

Pyetje ndaj dëshmitarit parashtroi edhe avokati i të akuzuarit Hoxha.

“Deri më sot kur po flasim, keni pasur kontakte dhe biseduar me ta. Familja juaj më e gjerë a ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë?”, ka pyetur avokati Florent Latifaj.

“I plagosuri ka qenë Rutgen Shehu. Po kanë marrë pjesë në varrim edhe në ngushëllime. Jo se të dy janë jashtë. Jo me atë, por me askënd në Kosovë”, është përgjigjur dëshmitari, që është baba i viktimës.

Për këtë rast ka dëshmuar edhe dëshmitari Vllaznim Mustafa.

Ai tregoi se si ndodhi ngjarja. Tha se të akuzuarin Hoxha e ka parë vetëm në fillim dhe në fund.

“Në momentin kur kanë hyrë brenda prapë e kanë përplasë derën nëse nuk gaboj këta të Shqipërisë edhe kanë rrëzuar një tavolinë aty, marrin hygjym me hy në zyrë. Kur kanë hy ashtu duke përplasur derën unë kam ikur në tualet pastaj deri kanë ardhur policia në atë moment kam dalë jashtë. Kur kam dalë, polica ka qenë duke kontrolluar vendin e ngjarjes”, ka thënë ky dëshmitar.

Sipas aktakuzës, Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, më 3 janar të vitit 2023, në orën 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta Visar Cengun dhe ka vënë në rrezik edhe jetën e dy të dëmtuarve të tjerë.