Arbëri

Çeku: Dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë është dështim i Lumirit

Hajrulla Çeku dhe Lumir Abdixhiku

Foto: KOHA

Foto: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se dështimi “spektakolar” i qeverisjes në kryeqytet është dështim i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Për nisjen e punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”, Çeku ka shkruar në Facebook se Abdixhiku është dashur të turpërohet, duke thënë se “ai po mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhmdiesi të keqqeverisjes edhe për një mandat”.

Punimet të hënën nisën pavarësisht ndalimit nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Ministri në detyrë ka shtuar se mbrojtjen e ligjshmërisë, Abdixhiku po tenton ta shesë si bllokadë politike.

“Dështimi spektakolar i qeverisjes në Prishtinë, në fakt, është dështim i Lumirit. Dhe pafytyrësia në këtë rast po merr dimension të ri. Në vend që të turpërohet nga kjo, ai mbron paligjshmëritë dhe paralajmëron vazhdimësi të keqqeverisjes edhe për një mandat. Përralla elektorale e Lumir-Përparimit është kjo: nuk arritëm të bëjmë ndonjë punë të vlefshme për katër vite, por fajet i ka qeveria. Me shumë zhurmues të sponsorizuar po mendojnë që qytetarët do ta besojnë përrallën. Mbrojtjen e ligjshmërisë po tentojnë ta shesin si bllokadë politike. Ne nuk do të heqim dorë për asnjë çmim nga mbrojtja e ligjshmërisë; as nuk e kemi këtë të drejtë. Të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit nga komuna i kemi dorëzuar në institucionet e drejtësisë. Çdo vonesë për t'i adresuar këto shkelje do t'i kushtojë rëndë buxhetit e kryeqytetit”, ka deklaruar tutje ai.

Sipas Çekut, kreut të Prishtinës, Përparim Rama, Abdixhiku i vjen në ndihmë “sa hërë që Përparimi e bën fort bërllok punën”.

“Sa herë që Përparimi e bën fort bërllog punën, në ndihmë i vjen Lumiri. E para, sepse janë bashkë në marifetet e tyre të kundërligjshme, dhe e dyta, sepse e kanë nisur fushatën për Prishtinën, po e përgatisin mashtrimin e radhës. Por, ka një arsye edhe më të madhe. Në fakt, Lumiri është duke e mbrojtur veten. Sepse ishte ai që para afër katër vitesh e solli arkitektin nga Londra dhe u tha qytetarëve të Prishtinës votojeni sepse ky do ta zhvillojë kryeqytetin. Për të gjithë propagandistët, dua të bëj një sqarim. Ligji parasheh që për investime brenda zonave të mbrojtura, duhet të merret edhe pëlqimi i autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këtij detyrimi ligjor i nënshtrohen të gjithë, edhe komunat e institucionet e tjera, përfshi vet Ministrinë e Kulturës për investimet e saj”, ka shtuar ai.

Çeku ka bërë thirrje për respektim të ligjeve dhe të procedurave.