Ish-diplomati Blerim Canaj ka paralajmëruar se nëse nuk bëhen hapa përpara për formimin e Asociacionit atëherë Kosova do të mbesë në status quo.
Canaj ka thënë se ndërkombëtarët do të vazhdojnë me presion për formimin e Asociacionit, dhe nëse s’ka hapa përpara, atëherë sipas tij, mund të ketë edhe masa të tjera.
“Momentalisht, do të kemi status quo. Nëse nuk ec diçka në atë drejtim [për Asociacionin], do të jemi në status quo. Po shihet nga ndërkombëtarët që do të ketë presion të mëtutjeshëm, ndoshta mund të ketë edhe masa të tjera”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Sipas Canajt, Bashkimi Evropian e ka seriozisht si me Kosovën, ashtu edhe me Serbinë. Kushtëzimi për Serbinë që pa normalizim me Kosovën s’ka integrim në BE, si dhe kërkesa për formimin e Asociacionit për Kosovën, siç thotë ish-diplomati, tregojnë seriozitetin e BE-së karshi të dyja palëve.
Canaj ka theksuar se kryeministri Albin Kurti çështjen e Asociacionit e ka edhe problem elektoral. Ka shtuar se Asociacioni do të jetë temë kryesore derisa të përfundojë.
“Siç duket Kurti e ka problemin elektoral, për shkak se në pushtet ka ardhur me premtimin se do të ndryshojë gjithçka nga e kaluara, përfshirë dialogun. Për Asociacionin, e dimë të gjithë çfarë mendimi ka pasur. Faktikisht, Asociacioni ekziston, e kemi një zotim në Bruksel dhe një aneks të zbatimit në Ohër ku është Asociacioni. Nëse nuk pranohet apo së paku nëse nuk dërgohet në Kushtetuese, do të mbesim pa Këshillin e Evropës, por çdo kush që vije pas zgjedhjeve si kryeministër, prapë do të jetë temë kryesore për shkak të obligimeve që kemi marrë”, ka deklaruar ai.
Canaj ka thënë se së paku për Qeverinë nuk është dashur të jetë befasuese kërkesa e ndërkombëtarëve për Asociacionin në këmbim të anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ka akuzuar liderët e shtetit për ftohje të marrëdhënieve me ndërkombëtarët.
“Qeveria jonë e ka humbur besimin te partnerët, prandaj zotimi i tre liderëve përmes letrës për formimin e Asociacionit nuk çon peshë. Kur ki marrëdhënie të ftohura dhe besim të humbur, ata [ndërkombëtarët] dëshirojnë të shohin diçka të zezë mbi të bardhën”, ka thënë Canaj.
Ish-diplomati ka theksuar se në politikë duhet të shfrytëzohen momentumet.
“Nëse nuk i shfrytëzojmë momentumet, na ikin disa vjet. Siç ka ndodhur me liberalizimin e vizave”, ka përfunduar Canaj.