Arbëri

Camaj: Ka rritje prej 28 për qind të numrit të pasaportave në Kosovë këtë vit, shkak liberalizimi

pasaporta e Kosovës

Kryeshefi i Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës, Blerim Camaj, ka treguar se ka një rritje prej 28 për qind të numrit të pasaportave të lëshuara në Kosovë krahasuar me vitin e kaluar. 

Ai ka thënë se arsyeja është liberalizimi i vizave që ka hyrë në fuqi nga janari, raporton "Ekonomia Online".

“Këtë vit, lëshimi i pasaportave është në rritje sipas shifrave, 411 mijë e 489 pasaporta. Çka do të thotë se krahasuar me vitin e kaluar, kemi 28 për qind më shumë pasaporta. Arsyeja dihet është për shkak të liberalizimit të vizave. E sa i përket letërnjoftimeve, kemi 248 mijë të lëshuara, krahasuar me vitin e kaluar është 12 për qind më shumë këtë vit”, ka thënë Camaj, teksa shton se për patentshoferë nuk ka ndonjë përqindje të lartë krahasuar me vitin e kaluar.

Camaj ka deklaruar se fokus për vitin e ardhshëm është zvogëlimi i barrës administrative, ku qytetarët do të mund t’i marrin disa shërbime në mënyrë elektronike.

“Patentshoferë kemi të lëshuar 83,579, krahasuar me vitin e kaluar është diku 1 për qind më shumë këtë vit. Kështu që edhe këtë vit që po e përfundojmë, shërbimet ndaj qytetarëve kanë qenë të mira. Si nga gjendja civile, pajisja me dokumente, regjistrimi i automjeteve, mirëpo për vitin e ardhshëm mendojmë që këto shërbime të avancohen sidomos në zvogëlimin e barrës administrative, ku qytetari do të marrë shërbime në mënyrë elektronike dhe t’i eliminojmë letrat. Ky pra është një projekt i Qeverisë që barra administrative të funksionojë sa më mirë në institucione të shtetit, sidomos në Agjencinë e Regjistrimit Civil, ku qytetarët marrin shërbime më esenciale dhe më të rëndësishme”, u shpreh Camaj.