Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancë për matjen e dënimit me kërkesë të të akuzuarit në rastin ku ish-kryetari LDK-së së Drenasit, Bedri Nika, akuzohet për pastrim të parave. Trupi gjykues e caktoi këtë seancë për datën 4 nëntor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur në dhjetor 2021, Bedri Nika nga 21 shkurti e deri më 11 mars 2021, siguroi 118 bankënota në vlerë nga 50 euro, në shumë totale 5 mijë e 900 euro nga një burim i panjohur. Në aktakuzë thuhet se paratë e dëmtuara me një reagjent kimik, ua dha të akuzuarit tjetër, njëherësh nipit të tij, Albian Nika dhe vajzës së tij Erstina Nika, për t’i deponuar në llogaritë e tyre në “NLB Bank”, në Drenas.
Në prill të 2023-tës, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të pandehurin Bedri Nika me një vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë dhe të Albian Nikën me gjashtë muaj burgim dhe 5.000 euro gjobë. Sipas aktakuzës, dy familjarët e Bedri Nikës i deponuan paratë e dëmtuara në disa bankomate e më pas i tërhoqën brenda ditës në formën e parave të padëmtuara prej bankomateve tjera dhe më pas ia dorëzuan të pandehurit Bedri Nika.
Qëllimi i tyre sipas prokurorisë ishte përfitimi i kundërligjshëm dhe maskimi i origjinës së parave, duke e mashtruar bankën. Këtë rast e ktheu Gjykata Supreme në rigjykim meqë vlerësoi se dispozitivi dhe aktgjykimi nuk përmbajnë sqarime në lidhje me “aktivitetin kriminal” në raport me Bedri Nikën.