Arbëri

Caktimi i zgjedhjeve, shtysë që Qeveria të nxitojë në përmbushje të premtimeve

Me caktimin e 9 shkurtit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, njohës të çështjeve juridike dhe politike kanë thënë se qeverisja aktuale do të nxitet që t’u japë epilog premtimeve të papërfunduara. Por ata kanë shprehur mendimin se periudha prej gjashtë muajsh, e mbetur deri në zhvillimin e zgjedhjeve, nuk do të jetë e mjaftueshme për jetësimin e këtij synimi

Caktimi i 9 shkurtit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare do t’i japë shtysë Qeverisë aktuale që deri në përfundimin e mandatit t’u japë përmbushje premtimeve të dhëna dhe të papërmbushura deri më tani, kanë vlerësuar njohës të çështjeve juridike dhe politike.

Presidentja Vjosa Osmani e ka nënshkruar të premten dekretin me të cilin e ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të para të rregullta parlamentare që pas shpalljes së pavarësisë, në ditën e 9 shkurtit. 

Deri atëherë, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se Qeveria aktuale do të përpiqet që t’u japë epilog projekteve që nuk ka arritur t’i përfundojë.

“Pasi që jemi në fundin e mandatit 4-vjeçar, kjo qeveri do të përpiqet që atë që nuk e ka arritur, sidomos investimet kapitale për 4 vjet, punët që kanë mbetur për arsye të ndryshme për procedurat zvarritëse të prokurimit, tani sa më shpejt t’i shfrytëzojë dhe sa më shumë, këto muaj që kanë mbetur, që disa projekte që i kanë premtuar, i ka premtuar të gjitha rrugët kryesore, drejtimet kryesore që i kanë mbetur me vite të tëra nga qeverisjet paraprake, po përfundojnë do të përpiqet t’i kryejë”, ka thënë ai.

Por njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, ka shprehur mendimin se brenda periudhës prej gjashtë muajsh deri në zgjedhje, ekzekutivi nuk do të arrijë që ta jetësojë këtë synim.

“Tendencat janë që çdo projekt që kanë premtuar dhe nuk përfundohet mund të sjellë penalizime dhe dilema, kurse a është i mundshëm përfundimi i këtyre punimeve, konsideroj që jo, pasi që punimet janë aktualisht autostrada e Gjilanit, magjistralja për në Merdar dhe që brenda këtij afati 6-mujor nuk do të realizohen të gjitha premtimet e Qeverisë”, ka thënë ai.

Në dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, presidentja e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e votimeve.
Në KQZ kanë thënë të shtunën se në këtë funksion do të ndërmerren të gjithë hapat e duhur ligjorë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për të filluar me përgatitjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025. Në këtë drejtim, KQZ-ja së shpejti do ta miratojë planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Vendosja e afateve dhe plani i aktiviteteve do të thotë përcaktim i saktë i kohës se kur fillon një aktivitet zgjedhor dhe koha se kur përfundon”, thuhet në përgjigje të KQZ-së.

Shpallja e datës së zgjedhjeve i ka pasuar këshillimet që presidentja Osmani i pati më 31 korrik me kryetarët e partive politike, të cilët i patën shprehur preferencat për datën e zgjedhjeve. Bazuar në afatet ligjore, zgjedhjet mund të mbaheshin më 26 janar ose 2, 9 dhe 16 shkurt.