Arbëri

Caktimi i koordinatorëve për rastet e dhunës seksuale, cilësohet mbulim dështimesh

Gruaja nga Ferizaj raporton në Polici se i është dhunuar vajza e mitur

Shoqëria civile kërkon që në vend të caktimit të koordinatorëve nëpër prokurori të vihen para përgjegjësisë prokurorët përgjegjës për neglizhimet e rasteve të dhunës seksuale. Derisa Zyra e Kryeprokurorit nuk ka treguar se kush janë koordinatorët e caktuar dhe se cilat janë përgjegjësitë konkrete, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se organizatat joqeveritare janë duke përdorur gjuhë fyese e denigruese ndaj bartësve të sistemit prokurorial

Pjesëtarë të shoqërisë civile e cilësojnë të panevojshëm dhe mbulim të dështimeve, caktimin e koordinatorëve për veprat penale kundër integritetit seksual në të gjitha prokuroritë e vendit. Ditë më parë, Zyra e Kryeprokurorit të shtetit njoftoi se me kërkesën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi janë caktuar këta koordinatorë në të gjitha prokuroritë e Kosovës, dhe se qëllimi i tyre është trajtimi i rasteve për veprat penale kundër integritetit seksual, të bëhet me prioritet.

“Me kërkesë të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kryeprokurorët e të gjitha prokurorive të vendit kanë caktuar koordinatorët për veprat penale kundër integritetit seksual. Gjithashtu, Koordinator përgjegjës për të gjitha prokuroritë është caktuar një prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, ishte thënë në njoftim.

Megjithatë, për emrat e këtyre koordinatorëve dhe për përgjegjësitë specifike që kanë, nuk kanë kthyer përgjigje nga Zyra e Kryeprokurorit të shtetit. KOHA ka pyetur edhe për koordinatorët që janë për rastet e dhunës në familje, por nuk ka marrë përgjigje deri më tash.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është shprehur skeptik se personat në këtë pozitë do të kenë ndonjë rezultat pozitiv në përmirësimin e gjendjes, për shkak të praktikës në të kaluarën. “Fatkeqësisht edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si Këshilli Prokurorial kur nuk kanë vullnet, kur nuk kanë guxim me u ballafaqu me problemet që ballafaqohen, në çdo moment kur nuk mund t’i mbahen llogaridhënies, gjyqtarët e prokurorët, në rastin konkret, kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, vijnë me ide si kjo që të caktohen koordinatorë kundër dhunës seksuale në të gjitha prokuroritë e Kosovës”, ka thënë Miftaraj.

Edhe drejtoresha e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë se e gjithë kjo është bërë për të mbuluar neglizhencën e trajtimin e rasteve të dhunës në familje e të dhunës seksuale.

“Nuk po e kryejnë punën siç duhet sepse dikush atje lart duhet të japë llogari për atë se çka po ndodh, duhet të ketë shkarkime jo të krijojmë koordinator, por njëherë të japim llogaridhënie se pse pozita të caktuara nuk po e bëjnë punën siç duhet”, ka thënë ajo.

Pas rastit të dhunimit të 11-vjeçares, në muajin gusht dhe qershor dhe arrestimit të 12 personave për këtë, vazhdimisht është duke u kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe prokurorit Ruhan Salihu.

Por, Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka vendosur që kërkesave të shoqërisë civile t’u përgjigjet në një mënyrë tjetër. Përmes një komunikate nga KPK-ja kanë thënë se nuk i mirëkuptojnë deklaratat fyese e denigruese për bartësit e sistemit prokurorial, nga organizatat që kanë protestuar ditë më parë.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës respekton të drejtën e secilës organizatë të Shoqërisë Civile, në këtë rast, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, për të protestuar lidhur me çfarëdo çështjeje që ka të bëjë me sistemin prokurorial, mirëpo nuk i mirëkupton kur ato devijojnë duke përdorur fjalë fyese dhe denigruese ndaj bartësve të sistemit prokurorial, si dhe duke u munduar kështu të shtyjnë përpara kauza të caktuara politike”, kanë thënë nga KPK-ja nëpërmjet komunikatës.

Në gushtin e sivjetmë, rasti i dhunimit të vajzës 11-vjeçare në lagjen “Arbëria” në Prishtinë nga pesë persona, të cilët më pas janë arrestuar, kishte nxitur reagime të shumta dhe protesta. Më pas janë zbardhur hollësi të tjera që kanë treguar se vajza ka qenë viktimë e dhunimit edhe në qershor, por personat e përfshirë u arrestuan rreth dy muaj më vonë. Për rastin e dhunimit të 11-vjeçares deri më tash ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, dhe përgjegjësi në Drejtorinë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.

Po ashtu, janë shkarkuar dy zyrtarë në Policinë e Prishtinës. Liderët politikë e shoqëria civile vazhdimisht kanë kërkuar dorëheqje edhe në Prokurori.