Arbëri

Çakordim i plotë në politikën e jashtme mes Qeverisë e Presidencës

Çakordimi i plotë në politikën e jashtme është vënë në pah ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës.

Për takimin në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me presidentin e Serbisë Alleksandar Vuçiq, presidenti Hashim Thaçi si rrallëherë ka kërkuar të raportojë para deputetëve, raporton KTV.

Thaçi i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit që kjo seancë të mbahet pasditen e së mërkurës, por për këtë do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për takimin e presidentit Thaçi me homologun e tij serb.

Sipas Kurtit, është lajm i mirë që nuk ka marrëveshje mes presidentëve.

Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzon presidentin Thaçi për takime të fshehta e diskutime për marrëveshje me Vuçiqin.

Vetëvendosje, thotë se presidenti nuk ka mandat që të jetë në krye të dialogut, pasi kjo i takon kryeministrit.

Sipas Selimit, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet t’i respektojë institucionet e Kosovës, sa i përket prijësit të dialogut me Serbinë.

Por Zyra e presidentit në një përgjigje për KTV-në, thotë se Presidenca është institucioni më i lartë kushtetues që udhëheq me politikën e jashtme.

Në këtë përgjigje thuhet se presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe Qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas.

“Presidenti i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e jashtme. Si Zyre e presidentit, në emër të presidentit Thaçi, qysh nga dhjetori i vitit 2019 i kemi shprehur me shkrim gatishmëri Kuvendit, që presidenti t’u drejtohet deputetëve, por kjo seancë ende nuk është organizuar. Kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër që presidenti kërkon t’u drejtohet deputetëve. Po ashtu, presidentit Thaçi i subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast edhe Qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”, ka thënë Zyra për Informim e presidentit të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është deklaruar për takimin Thaçi-Vuçiq dhe kërkesën e presidentit për raportim në Kuvend.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë shkurt se nuk kanë qëndrim rreth kësaj çështjeje.

Ndërkaq, AAK-ja mirëpret raportimin e presidentit në Kuvend por kërkon që të ketë unifikim të qëndrimeve kryeministër-president për dialogun.

Pa paralajmërim, të hënën në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Thaçi ka takuar homologun e tij serb Vuçiq.

Siç ka thënë presidenti Thaçi, takimi është zhvilluar me ftesë të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, ndërkaq në takim ka marrë pjesë edhe këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Robert O’Brien.