Arbëri

Cakolli përmend digjitalizimin e numërimit si zgjidhje nga problemet në zgjedhje

Eugen Cakolli

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka përmendur digjitalizimin e numërimit të votave, si zgjidhje për problemin me të cilin po përballet Kosova nga zgjedhje e 9 shkurtit.

Nga zgjedhjet sivjet, numërimi i votave u zhvendos në qendrat komunale të numërimit, për të shmangur manipulimet nga komisionarët. Por procesi u përball sërish me telashe në numërim. Nga rinumërimi i votave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Vushtrri në vetëm 15 nga 96 vendvotime s’pati dallime në vota.

E sipas Cakollit, kjo tregon se “problemi vazhdon, pavarësisht kamerave, televizorëve, vëzhguesve, kostos dukshëm më të lartë dhe vonesave në përpunimin e rezultateve”.

“Edhe nëse nuk vërtetohet në asnjë komunë tjetër, ky rast tregon se problemi nuk qëndron as tek mënyra dhe as tek vendndodhja e numërimit, por tek ata që numërojnë dhe procesojnë rezultatet. Prandaj, është e domosdoshme që të largohemi nga numërimi dhe përpunimi manual i votave. Një zgjidhje mund të jetë dixhitalizimi i numërimit përmes skanimit të fletëvotimeve, të plotësuara me kimik unik – opsion që garanton integritetin por edhe shpejtësinë e procesit”, ka shkruar ai në Facebook.

Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ende s’janë certifikuar. Ka pasur probleme në procesin e numërimit që nga dita e parë, duke nisur nga uebfaqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Fillimisht janë numëruar votat nëpër vendvotime, ndërsa më pas ato për kandidatë në qendra komunale ku u bë edhe verifikimi i votave për partitë. Pas këtij procesi janë numëruar votat nga përfaqësitë diplomatike, më pas ato me postë dhe në fund të personave me aftësi të kufizuara dhe votat me kusht.

Nga ky numërim, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.27 për qind, Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 20.96 për qind, LDK-ja e treta me 18.28 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma pason me 7.07 për qind.