Krimineli Milan Radoiçiq që nga 28 prilli është i kërkuar nga organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës edhe për krime lufte. Ai është edhe i akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.
Afrim Caka, dëshmitar i krimeve të luftës dhe ish-i burgosur politik, ka grumbulluar provat e dëshmitë e krimeve që serbët i kanë bërë në Gjakovë gjatë luftës. E, Radoiçiqin ai tregon se e mban mend shumë mirë si banor në Gjakovë e krimet që i kreu atë kohë.
Caka ka kujtuar 10 majin 1999 kur patën filluar dëbimet masive, e këtë ditë ai sot e përshkruan si “dita e tokës së djegur” kur Gjakova ishte në tym e flakë.
“Ai ka ardhur i armatosur, i veshur me rroba policore të kamufluara, ka pasur automatikë, pistoletën. Shokët e tij kanë pasur edhe zolla e thika. Radoiçiqin e kam njohur mirë. 10 maj, orët e para të mëngjesit, lagjja jonë ishte bllokuar. Unë isha në shtëpi dhe krismat e britmat e shqiptarëve që u vritshin na zgjuan. Nuk shkuan 2 minuta, të gjitha ato vrasje u bënë për pak minuta. I kanë vrarë në shtëpinë e familjes Morina, i kanë mbledhur 53 vetë dhe në rrugë që gjithsej 56 ishin. Dolëm në rrugë, ma rrahën vëllain, mua më grushtuan”, ka rrëfyer ai në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.
Caka ka thënë se katër prej kryesve të krimeve i kanë identifikuar, njëri nga ta Radoiçiqi.
“Për Radoiçiqin duhet të hapet kallëzim penal jo për 3 vetë që i ka vra, por për 56 vetë që janë vrarë aty. Radoiçiqi ka qenë 23 vjeç, nuk ka qenë i ri. Në Gjakovë janë mobilizuar që nga mosha 15 vjeçare deri 80 vjeçare”, ka shtuar ai.
Caka ka theksuar se prova ka mjaftueshëm për të ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Radoiçiqit dhe grupit të tij, e ka shtuar se edhe vetë është i gatshëm të dëshmojë.
“Radoiçiqi ku ka banuar në Gjakovë ka qenë tmerri i banorëve aty, nuk kanë guxuar me dalë jashtë, me i çu perdet. Në atë rrugë ka qenë e vendosur edhe ‘Dora e Zezë’ që ka marrë pjesë në vrasjen e doktorit Izet Himës më 24 mars”.
Caka ka bërë thirrje që institucionet të bëjnë më shumë që përgjegjësit për vrasjet e shqiptarëve gjatë luftës të përgjigjen.
“Argumente ka sa të duash por vullneti politik e drejtësisë duhet të jetë shumë aktiv. Këta nuk po gjykohen për një njeri, por për 4000 e sa shtëpi që i kanë djegur, që e kanë dëbuar gjysmën e Gjakovës, që kanë rrahur, kanë dhunuar, e kanë bë... Ke argumente sa të duash veç ai që është i verbër e i shurdhët ai thotë jo nuk kanë bë. Duhet të përgjigjet dikush për ata të vdekur”.