Arbëri

Bytyqi: Refuzojmë vetëm aspektin moral të fertilizimit te gratë e pamartuara

Avokati Asdren Bytyqi ka thënë se Ligji për fertilizim artificial nuk ka të bëjë asgjë kundër shkencës.

Sipas tij, Bashkësia Islame nuk është kundër ligjit në tërësi.

“Kjo, sepse fertilizimi i asistuar artificial është një breng për çiftet e martuara të cilët kanë brenga  për lindje apo fertilizim të natyrshëm. Kjo është e domosdoshme të rregullohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, kundërshtimi i tyre moral për këtë ligj  është fertilizimi për gratë e pamartuara.

Ai ka thënë se fundament i religjionit është të luftohet e keqja dhe të nxitet e mira.

“Shoqëria përmes të zgjedhurve politikë e përcakton se çfarë është e mirë  dhe e keqe për ta. Fëmijët nuk duhet të jenë instrumente të  dëshirave të nënave që nuk duan të kenë burra”, ka thënë ai.

Sopi: Me Projektligjin për frytnim artificial, rritet mundësia e incestit

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se projektligji për frytnimin artificial duhet të rregullohet. 

Ai ka theksuar se duhet të bëhet e ligjshme që të dihet identiteti i dhuruesit, pasi sipas tij, mundësia e incestit rritet kur nuk ka informacione me fillimin e aplikimin të metodës së IVF-it.  

“Nëse në mënyrë anonime i bëjmë këto punë, do të vijë deri te incesti”, ka thënë ai pwr çwshtjen e fyrtnimit tw asistuar. 

Sopi ka shtuar se është e drejta e çdokujt të zgjedhë mënyrën e jetesës, por se medoemos duhet të dihet identiteti i dhuruesit. Kjo, ka potencuar tutje ai, pasi nga incesti fëmijët dalin me probleme të rënda shëndetësore. 


Spahiu: Vetëm në tri vende të Evropës, përfshirë Kosovën, nuk mësohet për religjionin

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se është shumë shqetësuese që në shkollat publike në Kosovë nuk mësohet për religjionin. 

Spahiu ka thënë se Kosova është në mesin e tri vendeve të Evropës ku nuk mësohet religjionin në shkolla publike. 

“Një çështje shumë shqetësuese këtu është se në shkollat tona publike nuk mësohet religjioni, feja. Nuk mundemi vetëm ne, Shqipëria e Franca, të jemi më të mençurit në Evropë. Vetëm tri vende në Evropë nuk mësojnë religjion në shkollat publike. Gjitha tjerat mësojnë. Njerëzit tanë kanë nevojë të marrin njohuri për religjionin”, ka thënë Spahiu. 
 


Klinaku: Ligji për frytnim artificial është ideologjik

Abdullah Klinaku nga klubi “Demokracia konservatore” ka thënë se ligji për frytnim artificial është ideologjik dhe jo shkencor. 

Sipas tij, ky ligj lë mundësi që një e arritur shkencore të keqpërdoret. 

“Ai është ligj ideologjik, nuk është shkencor. Dikush beson në një ideologji liberale... ai është si me thënë shkenca ta ka dhënë mundësinë për ta bërë dhe ti mund ta keqpërdorësh atë. Ky ligj e krijon mundësinë që një e arritur shkencore, të keqpërdoret”, ka thënë ai në “Konfront”.

Klinaku ka thënë se feja islame nuk ka asgjë kundër shkencës, por se nuk pajtohet me ligjet e tilla që e keqpërdorin atë. 

“Sa i përket këtyre tendencave për reformimin e familjes përmes kodit civil, ligjit për frytnim artificial ose ligji për regjistrim në gjendje civile që e krijon mundësinë e ndërrimit të gjinisë, ato janë ligje për të cilat duhet të jesh në pajtim me natyrshmërinë njerëzore”. 


Spahiu: Shqiptarët i vuajnë ende pasojat e ateizmit të Enver Hoxhës

Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se shoqëria shqiptare dhe ajo kosovare ende vuan nga pasojat e ateizmit të Enver Hoxhës. 

Spahiu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se religjioni është shumë i rëndësishëm për një shoqëri. 

“Ajo se çfarë vuan shoqëria kosovare e ajo shqiptare, akoma e kësaj dite, ne akoma e kësaj dite në shekullin XXI i vuajmë pasojat e ateizmit të Enver Hoxhës. Në Shqipëri kjo ka qenë drejtpërdrejtë, e në Kosovë akoma më keq, ateizmi është transferuar si formë patriotizmi që vjen nga shteti amë. Ajo ka ngelë edhe sot e kësaj dite. Dëgjon pyetje absurde a je me kombin apo fenë”, ka thënë Spahiu.