Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka deklaruar se bazuar në traditën zgjedhore në Kosovë, gjasat më të mëdha janë që qeveria e ardhshme të krijohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma, ku njëra është partia më e madhe, e tjetra më e vogël.
Ai ka deklaruar se edhe në qeverisjet e kaluara, koalicionet në Kosovë janë krijuar në këtë mënyrë, derisa s’e përjashtoi mundësinë që edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të jetë pjesë e koalicionit.
“Nisma ose Nisma bashkë me AAK-në...Kështu thotë tradita zgjedhore, kështu që mund të pritet një koalicion me Nismën, por ky koalicion pastaj mund të testohet kur vjen momenti i votimit të presidentit. Mirëpo, nëse marrim një aspekt politik, ajo që ndodh në këto raste është që shkohet me partine më të vogël të mundshme. Nisma ose një kombinim Nisma-AAK”, ka deklaruar Bytyçi të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Ai është shprehur se qeveria e ardhshme duhet të jetë e kujdesshme që të mos humbasë “atë që është arritur në veriun e Kosovës”. Sipas Bytyçit, autoritetet kosovare kanë shtrirë sovranitetin në veri, e kjo siç tha ai, duhet të qëndrojë.
“Ka pasur zhvillime ku Kosova ka shtrirë sovranitetin në veri, e gjithashtu ka edhe ndërrime në arenën ndërkombëtare. Duke i pasur parasysh këto, duhet të vendoset një politikë e jashtme e kujdesshme sepse ka rrezik që ato veprime që i ka bërë Kosova në veri, të zhbëhen. Duhet pasur kujdes të mos shkaktohet një krizë. Kosova është në një pozicion të kënaqshëm, që e ka shtrirë sovranitetin, por duhet të ketë kujdes që mos ta rrezikojë atë arritje që e ka bërë”, ka deklaruar njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas Bytyçit, në rast se Ukraina merr një zgjidhje të favorshme për luftën me Rusinë, kjo mund të ketë ndikim pozitiv edhe në Ballkan. Ai ka thënë se përfundimi i luftës atje “mund të shkojë në favor të Kosovës”.
“Përfundimi i luftës në Ukrainë mund të thuhet se dobëson pozicionin e Serbisë, e kjo mund të jetë një gjë e mirë për Kosovën, por ka disa rryma ekstreme të djathta që kanë pushtet në Shtetet e Bashkuara e kjo mund të ndikojë negativisht”, ka shtuar tutje ai.
Ndërsa, Bytyçi ka potencuar se nëse zgjidhja në Ukrainë është zgjidhje etnike, ku Rusisë t’i jepen tokat e pushtuara, “mund ta shtojë apetitin e Serbisë që të kërkojë veriun ose ta pushtojë”.
“Kjo mund të ketë një pasojë që të ketë thirrje për rivizatim të kufijve, kështu që mbetet të shihet se çfarë efekte do të ketë ndikimi i luftës në Ukrainë. Jo të gjitha ato efekte janë të këqija, por natyra e zgjidhjes në Ukrainë do të ndikojë edhe në Ballkan”, ka thënë ai.