Arbëri

Buxhovi: Rugova kishte paranojë, druante se do të likuidohej, kërkoi garanci nga amerikanët

Jusuf Buxhovi

Historiani Jusuf Buxhovi, ka thënë se ish-presidenti I Kosovës, Ibrahim Rugova, ka pasur paranojë se do të likuidohej gjatë kohës së luftës në Kosovë. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Buxhovi ka thënë se gjatë qëndrimit të tij në Itali, Rugova ka kërkuar garanci nga amerikanët që të jetë i sigurt në Prishtinë. 

“Rugova ka pasur presion shumë të madh nga Beogradi, ka pasur presion te italianët. E fliste këtë shqetësim me mua. Ai ka qenë i deprimuar. Kisha përshtypjen se gati edhe po humbet. Edhe gjermanët e konstatuan se Rugova kishte një moment shumë të rëndë të përqendrimit dhe u morën vesh që të kalojë sërish në Itali, sepse presioni ishte i madh edhe prej anës së italianëve. Në ndërkohë në Tiranë dhe Prishtinë filluan disa lëvizje të çuditshme kundër Rugovës dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Rugova ka kërkuar garanci prej amerikanëve dhe gjermanëve që të jetë i sigurt në Prishtinë. Kur ka shkuar në Shkup, në kamp të refugjatëve, ka qenë shumë i shqetësuar se dikush mund ta likuidojë. Ai tërë kohën e ka pasur paranojën se dikush do ta likuidojë sepse ka pasur gjithfarë kërcënimesh”, ka thënë ai. 

Buxhovi ka shtuar se Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, i kanë dhënë garancinë Rugovës se do të bëhet president.

“Ai kërkoi garanci prej amerikanëve sepse u krijua qeveria e përkohshme në Tiranë. Ata e shpallën tradhtar Rugovën, këtu ishte frika e madhe e Rugovës. Ai kërkonte që NATO-ja të ketë një mbikëqyrje, të ndalen vrasjet e aktivistëve. Albrighti e ka kthyer këtu me garancitë që do të bëhesh president. Albrighti dhe Fischeri kanë thënë se Rugova duhet të jetë bartësi i këtij procesi”, është shprehur ai.


 


Buxhovi: Futja e rusëve në Kosovë, në bashkëpunim me amerikanët, në Golesh kishte armë ruse

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ka shumë paqartësi rreth futjes së trupave ruse në Kosovë para atyre të KFOR-it. 

Sipas tij, futja e trupave ruse mund të jetë bërë edhe në bashkëpunim me amerikanët. 

"Ka raporte se në Golesh kishte armë të sofistikuara ruse dhe duhej një kamuflazh, kinse po futën në Aeroportin e Prishtinës, për t'i tërhequr ato. I kam edhe në librin tim, por kjo është çështje tjetër", ka thënë ai. 

Ai po ashtu e ka quajtur absurde që Prishtina feston Ditën e Çlirimit më 11 qershor. 

"Kjo është absurde, më 11 qershor janë futur në Prishtinë trupat ruse, që erdhën nga Bosnja dhe nata e 11 qershorit është më e përgjakshmja për Prishtinën. U vranë 11 persona", ka thënë ai.


Buxhovi: Konferenca për Rugovën ishte kundër Rugovës, të ftuarit anti-rugovistë

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se konferenca ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” ishte kundër ish-presidentit Ibrahim Rugova. 

Sipas tij, në këtë tubim ka pasur të ftuar anti-rugovistë, duke iu referuar kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ish-kryeministrit të Italisë, Massimo D’Alema, teksa ka shtuar se nuk është thirrur askush nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Mirë që mbahen tubime të tilla. Në atë tubim nuk është thirrur askush nga themeluesit e LDK-së. As presidenti Sejdiu. Nuk janë thirrur dhe janë injoruar në formën më brutale, nuk është hera e parë, që 2-3 vjet themeluesit jo vetëm që nuk nderohen, kjo garniturë që ka ardhur në LDK po bën çmos që edhe fotografitë, ikonografinë e themelimit të LDK-së ta eliminojë së paku prej dokumentaritetit. Kjo flet shumëçka”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për prezencën e Ramës dhe D’Alemës, Buxhovi ka thënë se Rama ka shprehur qëndrime kundër Rugovës para 5-6 vjetësh, për të cilat nuk ka kërkuar falje. Ndërsa, D’Alema ka shkruar libër ku flitet keq për Rugovën. 

“Një politikan duhet ta ketë parasysh që nuk mund të ndërrohen diskurset brenda për brenda. Nëse ka deklaruar para 5-6 vjetësh gjëra tepër të rënda për Rugovën dhe asnjëherë nuk ka kërkuar falje, tani del në një opsion tjetër. Librin e D’Alemas nuk e ka lexuar askush prej atyre. Në librin e tij, D’Alema mundohet Rugovës t’ia japë një pretendim që ai ka dashur të jetë përkrahës i ndërprerjes së bombardimeve. Tani del një D’Alemë dhe flet për Rugovën. Aty nuk është folur për Rugovën, Rugova është keqpërdorur. Këtu është problemi”, është shprehur ai.  


Buxhovi: Politikanët e penguan shkrimin e historisë, deshën vetë të ishin personazhe

Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se politikanë e kanë penguar shkrimin e historisë së Kosovës, pasi ata kanë dashur të ishin vetë personazhe të saj.

Buxhovi në “Konfront” në KTV ka theksuar se politikanë kanë kërkuar një histori 30-vjeçare ku ata kanë bërë pjesë dhe jo më gjerë.

Sipas tij, deri para 2-3 vjetësh historia është tentuar të shkruhet “në përputhje me dy-tre politikanë që kanë menduar se janë bartësit e historisë së Kosovës dhe çlirimin ia kanë atribuuar çështjes së vet”.

“Kosova prej 2008-s i ka pasur institutet, është dashtë të organizojnë, ta shkruajnë historinë e Kosovës. Ka pasur fjalë të ndryshme që të shkruhet historia, por politika e ka penguar në disa mënyra. Politikanët që kanë ardhur në pushtet këtu, kanë ardhur me një bindje se janë çlirimtarë dhe çdo gjë duhet t’i nënshtrohet këtij opsioni. Historia nuk shkruhet në përputhje me politikanët, historia e ka magjistralet e veta. Një pjesë e politikanëve që e kanë dashur një histori këtu, që kanë insistuar apo që e kanë lënë Kosovën pa histori, është sepse kanë kërkuar një histori 20-30 vjeçare, jo më shumë, histori ku ata do të jenë personazhet kryesore”, ka thënë ai.