Historiani Jusuf Buxhovi ka deklaruar se “dosja gjermane” që i është dorëzuar ish-presidentit Ibrahim Rugova, pasi është liruar si peng i Sllobodan Millosheviqit, ka treguar se një grup nga Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës ka tentuar ta hiqte Rugovën nga partia.
Të martën në “Konfront” të KTV-së, Buxhovi ka thënë se arsyetimi i këtij grupi për largimin e Rugovës nga partia që drejtonte ishte që “e ka humbur kredibilitetin”.
“Nga brenda ka pasur dy probleme shumë të rënda, këto ia kanë nxjerrë në ‘dosjen gjermane’. Kur ka ardhur në Gjermani, vizitën e parë që e ka bërë, e ka bërë më 8 qershor për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes me Thaçin e Qosjen, por vizita kur ka dalë prej pengut të Millosheviqit, ka qenë dikur më 8 maj. E ka pritur (ish-kancelari gjerman) Schroederi. Përfaqësuesi për shtyp, quhet Edmond, ia jep një dosje informative, ata e kanë bërë qëllimisht. Aty janë mbi 30 faqe dhe i tregon që krahas kësaj e ke problemin nga brenda në LDK, bashkëpunëtorët tu i kanë përgatitur dy veprime kundër teje. E para, disa anëtarë të Kryesisë së LDK-së që janë sjellë tërë kohën me Rugovën poshtë e lartë dhe më vonë janë kthyer përfitues, kanë marrë iniciativën për ta shkarkuar Rugovën dhe t’ia marrin postin e kryetarit të LDK-së sepse ka tradhtuar. Ka qenë një grup i tërë erdhi dhe na tha se Rugovën po e heqin sepse e ka humbur kredibilitetin, me Millosheviqin kush e di se çfarë po bën”, ka thënë ai.
Buxhovi: Rugova ishte në gjendje të rëndë psikike pas kthimit nga Beogradi
Historiani Jusuf Buxhovi ka thënë se ish-presidenti Ibrahim Rugova ka qenë në gjendje të rëndë psikike pasi ishte kthyer nga Beogradi.
Ai ka thënë se kryekrimineli Slobodan Millosheviqi kishte dhënë urdhër për dërgimin e Rugovës në Beograd dhe se ndaj tij kishte përgatitur skenar.
“Ka qenë në gjendje të rëndë dhe është e natyrshme se ka qenë në gjendje të rëndë pas mbajtjes atje, pas atyre pasigurive sepse nuk ka qenë e lehtë... është situatë e rëndë kur je president, me bindjen që amerikanët thonë ‘ne të mbrojmë’, situata të tilla kur të hyn policia, ti nuk mendon më që Amerika mund të të shpëtojë. Ishte krejt skenar për ta dërguar në Beograd sepse Millosheviqi kishte përgatitë skenar për Rugovën që të paktën të arrijë disa qëllime aty”, ka thënë ai në “Konfront”.
Buxhovi pyetet nëse Rugova e quajti terroriste UÇK-në
Historiani Jusuf Buxhovi nuk e ka thënë specifikisht nëse ish-presidenti Ibrahim Rugova e kishte quajtur terroriste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar politikë pa luftë asokohe.
“Më 24 prill 1992 vjen Urdhri i Kërshëndellave i presidentit George Bush. Nëse ju kujtohet vija e kuqe, që i drejtohet Millosheviqit që nuk guxon ta përhapë luftën atje, por ishte edhe një nen për ne ku thuhet se as LDK-ja e as faktorët e tjerë në Kosovë nuk guxojnë kurrfarë provokime të luftës të bëjnë. Ka ardhur përfaqësuesi amerikan dhe i ka thënë Rugovës se prej tash do të silleni kështu: do të bëni politikë pa luftë, ndërkohë që nëse ndodh që bëhet lufta, ne do ta marrim në mbikëqyrje. Edhe ato që i kemi pasur ne, komitete për mbrojtje e vetëmbrojtje që kishin për detyrë të lëviznin nga pak, është dashur menjëherë brenda 10 orësh profesori Fehmi Agani të shkojë e t’iu thoshte se duhet të pushojë aktiviteti në emër të dr.Rugovës dhe Qeverisë. Rugova ka pasur në mënyrë decidive në emër të amerikanëve dhe në emër të NATO-s që të vazhdojë rezistencën institucionale”, ka thënë ai.