Arbëri

Buxheti për arsim - rritje për komunat e UP-në, zvogëlim për MASHTI-n

Buxheti i Ministrisë së Arsimit për vitin e ardhshëm është 1.2 milion euro më i vogël se i 2024-s, ndërsa i komunave për 9.8 milionë më i madh. Buxheti që menaxhohet nga MASHT-i fokusohet në ndërtimin e renovimin e institucioneve arsimore, projekte kryesisht kanë filluar qe dy vjet. E mjetet për digjitalizimin e shkollave e për ndërtimin e çerdheve modulare janë zvogëluar

Vetëm tre projekte të reja për investime kapitale ka paraparë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit për vitin e ardhshëm. Renovimi i gjimnazit “Naim Frashëri” në Shtime, i shkollës “Ismail Qemali” në Mitrovicë, ndërtimi i objektit të shkollës në fshatin Dobrushë të Istogut, janë nga ato që janë paraqitura në buxhetin e vitit 2025.

Mbi 50 projekte që janë planifikuar të realizohen në vitin e ardhshëm, janë të bartura nga vitet paraprake, ku si rrjedhojë Ministrisë i kanë tepruar 38 milionë euro të pa shpenzuara nga ky vit.

Buxheti për arsimin për vitin 2025 kap vlerën e mbi 417 milionë euro. Në krahasim me këtë vit, Ministria e Arsimit do të ketë buxhet më të vogël, e rritje parashihen të ketë në grantin për arsim për komunat.

“Për vitin 2025, institucionet kryesore të arsimit parashihet një rritje e buxhetit prej 11 milionë euro, krahasuar me buxhetin që e kanë pasur në vitin 2024, këtë rritje apo pjesën më të madhe të kësaj rritje do ta marrin komunat, që është rrit financimi për 9.8 milionë euro përmes grantit për arsim, ndërkaq edhe Universiteti i Prishtinës do të ketë rritje prej 2.4 milionë euro, kurse një rënie apo zvogëlim të buxhetit në krahasim me vitin e kaluar do ta ketë Ministria e Arsimit, pra një rënie të buxhetit prej 1.2 milionë euro”, ka thënë Blendi Hasaj, drejtor në Institutin “GAP”.

Kryesisht buxheti i Ministrisë është i fokusuar në ndërtimin e renovimin e shkollave. E buxheti për digjitalizimin e shkollave e për ndërtimin e çerdheve modulare është zvogëluar.

Digjitalizimi është një nga pesë shtyllat kryesore në Strategjinë e Arsimit, që është udhërrëfyes për ngritjen e cilësisë në institucionet edukativo-arsimore. Deri tash nuk është shpenzuar asnjë cent nga Ministria e Arsimit për digjitalizimin e shkollave, ndërkaq buxheti i përgjithshëm për blerjen e pajisjeve teknologjike ka rënie prej 3 milionë euro.

E për arsimin për nxënësit me aftësi të kufizuara nuk ka buxhet shtesë, pasi projektet e planifikuara qe dy vite, Ministria ende nuk i ka realizuar.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, institucionet duhet të fokusohen në përmirësimin e gjendjes të kategorive të cenuara, e në trajnimin e mësimdhënësve.

“Buxheti për ndërtimin e objekteve të reja shkollore ndër vite nuk na ka dëshmuar se ka një korrelacion të drejtpërdrejt në cilësi të mësimdhënies apo të mësimnxënies dhe kjo na dokumentohet edhe nga raportet e OCDE-së, ajo çka meriton vëmendje është padyshim një përkrahje e vazhdueshme për mësimdhënësit në rritjen e tyre profesionale dhe në pajisjen e të njëjtëve me metodologji, teknika, e strategji që kthehen në përfitim të menjëhershëm për nxënësit”, ka thënë Qehaja.

As investime shtesë nuk janë planifikuar për Inspektoratin e Arsimit që është mekanizëm kyç për vlerësimin e mësimdhënësve dhe të shkollave. Për këtë institucion KOHA ka raportuar se ka mungesë të kushteve të punës. Ministria ka planifikuar që këtë vit t’i blejë veturat për inspektorët, e t’i rinovojë objektet e tyre. Por këtë nuk ka arritur ta finalizojë në vitin 2024, e si rrjedhojë mjetet janë bartur për vitin e ardhshëm.