Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi buxhetin për vitin 2024, në vlerë prej 123 milionë e 699 mijë e 998 euro. Buxheti është rreth 20 milionë më i lartë se vitin e kaluar.
Kryetari Përparim Rama këtë buxhet e quajti si më të madhin në të gjithë historinë e kryeqytetit të Kosovës.
“Buxheti i vitit 2024, është buxhet i projekteve të mëdha kapitale, të cilat kanë qenë premtime, qysh prej ditës së parë të punës sime në Kryeqytet. Pra, do të jetë një buxhet i transformimit të Kryeqytetit”, tha ndër të tjerash Rama.
Sipas asamblistëve që votuan pro buxhetit, infrastruktura brenda qytetit, zgjidhja e problemeve në komunikacion, ndërtimi i shkollave dhe çerdheve të reja do të jenë ndër prioritetet e buxhetit për vitin 2024.
Ndërsa ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të jetë gjithashtu një investim tjetër i cili u premtua se do të jetë investimi më i madh në vend që ka ndodhur ndonjëherë në shëndetësinë lokale.
Rama në postim në Facebook ka thënë se janë ndarë 40 milionë e 500 mijë euro për investime kapitale.
“Kemi ndarë 40 milionë e 500 mijë euro vetëm për Investime Kapitale, ku përfshihen: ddërtimi i shkollave dhe çerdheve, Spitali i Prishtinës, ndërtimi i Tunelit ‘Agim Ramadani’, ndërtimi i Unazës Qendër, Salla e Koncerteve, Salla e madhe multifunksionale, Revitalizimi i Tullëtores, gjithashtu, në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi ndarë para edhe për shtimin e parqeve, menaxhimin e mbeturinave, transportin publik, ndërtimin e thertores për kafshë”, ka shkruar Rama.