Një numër grash janë vetëvrarë apo kanë tentuar që ta kryejnë këtë veprim pas dhunës së përjetuar nga bashkëshortët apo ish-partnerët e tyre. Por ndonëse Kodi Penal parasheh që për “shtyrjen në vetëvrasje” personat të dënohet deri në 5 vjet burgim, burrat që kanë kryer këtë vepër në shumë raste janë amnistuar, qoftë duke u tërhequr prokurorët nga akuza, qoftë duke shqiptuar gjyqtarët dënime të buta
Dhjetëra aktgjykime për aktakuzat për veprën penale “shtytje në vetëvrasje” tregojnë se gratë të cilat kanë tentuar apo e kanë vrarë veten janë shtyrë në këtë veprim nga dhuna fizike dhe ajo psikologjike e shkaktuar nga ish-partnerët.
Në një numër rastesh, prokurorët janë tërhequr nga akuza, ndërsa në të tjera gjyqtarët kanë shqiptuar dënime të buta.
Rreth 10 vjet më parë, një grua është vetëvrarë pasi që paraprakisht është dhunuar fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti. Deri te dhuna fizike, ajo seksuale dhe më pastaj vetëvrasja kishte ardhur pasi që burri e kishte kuptuar një histori nga e kaluara e saj.
“Më datë 07.02.2014 e ka dhunuar bashkëshorten e tij, të dëmtuarën D.M., në atë mënyrë që pasi paraprakisht kanë pasur probleme mes vete, i pandehuri kur kupton një pjesë të historisë nga e kaluara e saj, në shtëpinë e tyre në L. , fillimisht e godet me grushta në pjesë të ndryshme të trupit dhe pas kësaj me veturën e tipit ‘A.’ e dërgon në një mal në fshatin K..., ku gjatë rrugës përsëri e grushton dhe kur arrijnë në mal e zbret nga vetura dhe përkundër kundërshtimit të saj dhe gjendjes në të cilën ishte, meqë nga goditjet kishte pësuar lëndime të lehta trupore, e detyron që të kryejë seks oral me të duke e kërcënuar dhe fyer me fjalët ‘se tani do të kryej seks me ty jo si gruaja ime por siç dua vetë’, e pastaj e ka kthyer përsëri në shtëpinë e tij ku e dëmtuara D. nga frika dhe depresioni i shkaktuar në mënyrë të vazhdueshme tenton të vetëvritet”, thuhet në njërin prej aktgjykimeve, qasje në të cilën ka siguruar KOHA.
Burri është dënuar për dhunim seksual, por jo edhe për veprën penale “shtytje në vetëvrasje”.
Edhe një grua tjetër, në vitin 2015 ka tentuar që t’i japë fund jetës pas dhunës sistematike të ushtruar nga burri.
“Që nga muaji korrik i vitit 2015 e gjerë me dt. 03.10.2016 në ora 10.20 minuta, në P.. në rr. ‘Sh.. B..’, ka shtyrë bashkëshorten e tij, këtu të dëmtuarën Z.. Gj., që të tenton të kryejë vetëvrasje ashtu që i pandehuri në periudha të lartcekura kohore e ka rrahur disa herë fizikisht të dëmtaren dhe i ka bërë presion psikik, duke krijuar lidhje jashtëmartesore, ashtu që e njëjta natën kritike ka konsumuar medikamente”, thuhet në aktgjykimin e rastit të 2015-s.
Në fund të gjykimit për këtë rast, Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale e burrit.
Edhe më 2016 një burrë e ka detyruar ish-partneren e tij që të bëjë vetëvrasje. Para tentativës, ai e ka detyruar që ta shkruante edhe letrën e lamtumirës.
“Më datë 12 qershor 2016, e ka shtyrë të dëmtuarën I.M. që të tentojë të bëjë vetëvrasje, në atë mënyrë që me të dëmtuarën kishte qenë në lidhje dashurie derisa ishte duke punuar në gurëthyesin që gjendet në fshatin Mirash, e ka ftuar të dëmtuarën kinse për të biseduar me të, e pastaj e ka detyruar që të shkruajë një letër lamtumire për familjen, se vetëvrasjen është duke e bërë me vullnetin e saj, me ç'rast i pandehuri ia ka dhënë revolen për ta kryer vetëvrasjen, e ka vendosur dorën mbi dorën e të dëmtuarës, e pastaj e ka vendosur në pjesën e barkut, por e dëmtuara ka larguar revolen dhe ka shtënë në ajër, e pastaj është alivanosur”, është bërë e ditur në aktgjykim.
Pas kësaj ngjarjeje, dhuna psikike dhe kërcënimet ndaj gruas kanë vazhduar edhe për një vit. Por burri është dënuar me vetëm 1 vit burgim, ndonëse Kodi Penal parasheh deri në 5 vjet burgim për veprën shtytje në vetëvrasje.
Dosjet gjyqësore kanë treguar se një grua tjetër e ka vrarë veten pas presionit të ish-partnerit, gjatë kohës sa është fejuar me një burrë tjetër.
“Fillimisht me anë të kërcënimit përmes telefonit e kërcënon me fjalët se ‘kurrën e kurrës nuk guxon me u martu” dhe pastaj i dërgon mesazhe nëpërmes profilit të rremë të rrjeteve sociale të fejuarit të saj M. G. bisedat dhe lidhjen e mëparshme intime me viktimën, ku si pasojë e veprimeve të të pandehurit vjen deri te ndarja nga i fejuari i saj, duke e vënë në një gjendje të rëndë shpirtërore të cilën e ka sjellë në gjendje depresive shpirtërore, e cila si pasojë e kësaj kryen vetëvrasje”, është thënë në aktgjykimin e rastit.
Këtë burrë gjykata e ka dënuar me gjithsej një vit burgim.
Brenda muajit prill janë vrarë dy gra nga partnerët e tyre. Rastet kanë nxitur kritika në lidhje me efikasitetin e sistemit të drejtësisë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.