Arbëri

Burgim i përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit

Edhe shkalla e dytë ua ka konfirmuar fajësinë për vrasjen e aktivistit Enver Hadri, dy serbëve të dënuar në mungesë, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta të dy së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Bruksel

Gjykata në Bruksel i ka dënuar me burgim të përjetshëm Veselin Vukotiqin dhe Andrija Drashkoviqin të cilët janë gjetur fajtorë për vrasjen e aktivistit kosovar për të drejtat e njeriut Enver Hadri.
Këtë e ka njoftuar familja Hadri. 

Hadri ishte vrarë ne Bruksel nga pjesëtarët e UDB-së, në shkurt të vitit 1990.

Në mesin e dëshmitarëve në këtë gjykim kanë qenë edhe Xhavit Haliti dhe Xhafer Shatri, ish-disidentë kosovarë nga periudha e ish-Jugosllavisë, ndaj të cilëve ka pasur po ashtu përndjekje nga shërbimet e zbulimit serb e jugosllav.

Ka pasur edhe të dyshuar të tjerë që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e Enver Hadrit para tashmë 35 vjetësh. Por dy prej tyre janë vrarë më vonë në qërim hesapesh mes grupeve kriminale. Serbia asnjëherë nuk ka pranuar për t’i dorëzuar ata në Belgjikë për t’u përballur me akuzat.

Gjykata e Belgjikës në vitin 2016 kishte konstatuar se Enver Hadri ishte vrarë nga grupet e krimit të organizuar të nëntokës që i përdorte shërbimi jugosllav i zbulimit dhe se kjo vrasje ishte me porosi me qëllime politike për shkak të aktivitetit të Hadrit në mbrojte të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë.
Dosja e Enver Hadrit në Gjykatën e Belgjikës përmban dëshmi në më shumë se 3000 faqe.

Këtë vendim, kryeministri Albin Kurti e cilësoi si triumf të drejtësisë.

“Gjykata Penale në Bruksel ua ka konfirmuar fajësinë për vrasjen e aktivistit Enver Hadri, dy autorëve të dënuar të këtij atentati politik, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq. Këta të dy së bashku me Bozhidar Spasiq, ishin dënuar në vitin 2016 me burgim të përjetshëm për vrasjen e Enver Hadrit në vitin 1990 në Bruksel”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Fatkeqësisht, ashtu sikurse gjykimi fillestar edhe shqyrtimi i ankesave të dy nga tre të dënuarit, Veselin Vukotiq dhe Andrija Drashkoviq, u zhvillua në një proces gjyqësor në mungesë të tre të akuzuarve dhe të dënuarve, pasi që autoritetet e Serbisë kanë refuzuar t’i dorëzojnë ata te autoritetet e drejtësisë në Belgjikë. Të porositur nga shërbimi serb i zbulimit, Veselin Vukotiq, Andrija Drashkoviq dhe Bozhidar Spasiq, në bashkëkryerje kishin qenë pjesë e ekzekutimit të atentatit ndaj Enver Hadrit. Për përfshirje në vrasjen e Hadrit, kanë qenë të dyshuar edhe disa të tjerë, dy prej të cilëve qenë vrarë në konflikte mes grupesh kriminale serbe më vonë”.

Kurti ka shprehur konsiderata për familjen Hadri, për kurajon e tyre që të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Apelit në Bruksel.

“Ky konfirmim i sistemit të drejtësisë së Belgjikës për dënimet paraprake me burgim të përjetshëm për vrasësit e Enver Hadrit, është një triumf i drejtësisë që për t’u kompletuar, do të duhej të pasohej nga bashkëpunimi i autoriteteve të Serbisë duke i dorëzuar këta tre vrasës te autoritetet e Belgjikës”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Aktivisti Enver Hadri në Bruksel e drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Ai u vra më 25 shkurt 1990 në një atentat në Bruksel.