Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka njoftuar se gjatë 2024-s janë evidentuar 200 raste të konfliktit të interesit, duke thënë se shtimi i rasteve lidhet edhe sinjalizimin e qytetarëve.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se rastet sivjet janë më të komplikuara, duke shtuar se viteve të fundit shumë raste “kanë kaluar pa u vërejtur”.
“Për konfliktin e interesit kemi shumë raste, ngase lidhet edhe me vetëdijesimin e qytetarëve. Sivjet i kemi 200 raste që i kemi trajtuar. Rastet janë më të komplikuara se viteve të kaluara. Në të kaluarën shumë raste kanë kaluar pa u vërejtur”, ka thënë Buleshkaj.
Sipas Buleshkajt, sivjet janë 15 raste të dërguara në prokurori që lidhen me vonesën e deklarimit të pasurisë nga zyrtarët publikë. Ai ka thënë se ndryshimet e ligjit kanë bërë që vonesa e deklarimit të pasurisë t’ia mundësojë Agjencisë gjobitjen e zyrtarëve.
Drejtori i APK-së është shprehur se edhe numri i sinjalizuesve është shtuar dukshëm në Kosovë. Ai tha se sivjet është dyfishuar numri.
“Këtë formë të raportimit e shpjegojmë si besim i institucionit tonë”, ka thënë ai.
Buleshkaj i ka ftuar qytetarët që t’i raportojnë rastet ku dyshojnë se mund të ketë ndikim apo korrupsion.
“Agjencia i klasifikon dhe mund t’i përcjellë rastet për masa. Kemi pasur raste kur ka pasur evazion fiskal, e pastaj i kemi dërguar në Agjencinë Tatimore të Kosovës (ATK) dhe janë lëshuar gjoba. Nuk është e domosdoshme që rastet të jenë brenda mandatit tonë...Nuk është e domosdoshme që të sigurohet se ndonjë rast është shkelje. Dyshimi është i mjaftueshëm për ne”, ka shtuar ai.
Sipas Buleshkajt, viteve të fundit është rritur edhe komunikimi mes institucioneve.
“Kemi edhe sisteme komunikimi e këto bashkëpunime po besoj se do të parandalojnë në masë të madhe mundësinë për veprime joligjore”.