Arbëri

Bukuri shumë, mundësi pak

Foto: Koha

Djem e vajza shëtisin rrugëve të fshatit. Burrat kanë shtruar muhabetin nëpër tarracat e kafeneve dhe të “fast foodeve”. Shumica të papunë. Rreth e përqark pamja është mahnitëse. Gurgullima e lumit ua merr anën tingujve të muzikës. Reçana është zemra e rrethinës. Aty ku lidhen rrugët e fshatrave të shpateve malore valojnë flamujt e Kosovës e të boshnjakëve. Nuk dallojnë fort për nga dizajni e ngjyrat. Dy vendet u pavarësuan pas luftërave e masakrave masive të kryera nga Serbia, shkruan KOHA.

Megjithatë, Bosnja ende nuk ia njeh Kosovës mëvetësinë. Por ndryshe nga partitë serbe, që orkestrohen nga Beogradi, ato boshnjake asnjëherë nuk e kanë kontestuar Kosovën si shtet të tyre. Shqip e boshnjakisht flitet poshtë flamujve që kanë humbur shkëlqimin në shtyllat e metalta në qoshen e degëzimit të rrugës kryesore që zgjatet ndanë lumit nga Prizreni për Prevallë. Era e lehtë ua shprish flokët dy vajzave me fustane të gjata. Mu mbi urë. Në rrugë, më shumë ka burra. Flasin e kuvendojnë edhe para dyqaneve.

Të pakta janë mundësitë për zhvillim. Rinia ndihet e lënë pas dore. Partitë boshnjake e ato shqiptare shumë herë kanë kërkuar votat e boshnjakëve me zotimin se do ta kthejnë Reçanën në komunë me shumicë boshnjake. Premtimet kurrë s’u jetësuan. Politikanët shkojnë pas zgjedhjeve. Kthehen në fushatën e zgjedhjeve të reja.

“...vetëm se duhet organizim”

Izudin Sagdati nuk e nxjerr asnjë fjale goje kur pyetet për bukuritë natyrore të fshatrave përreth, si burim i mundshëm i mirëqenies për komunitetin. Qeshet dhe kthen kokën kah rrjedha e rrëmbyeshme e Lumëbardhit poshtë tarracës së pasme të kafenesë. Mbledh trupin para se të flasë.

“Janë bukuri të mrekullueshme të natyrës”, thotë Sagdati, themelues dhe drejtues i organizatës joqeveritare “Natural Fresh”, që për qëllim ka mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. “Potencialin e kemi edhe për turizmin veror, edhe për turizmin dimëror, vetëm se duhet organizim”.

Sagdati, një prej aktivistëve më të njohur të komunitetit boshnjak, thotë se rinia boshnjake po përballet me mungesë të vendeve të punës, edhe pse mendon se fshatrat malore ofrojnë mundësi të shumta për bujqësi e turizëm. Restorantet në Parkun Nacional të Sharrit janë kthyer në burim të rëndësishëm jetese për boshnjakët e rinj. Shpesh të diplomuarit në fakultete të ndryshme po shtrëngohen të rrokin tabakanë për t’i shërbyer mysafirët të cilët shijojnë bukuritë e zonës.

“Shumica e rinisë punon në restorante, si kamerier ose si pjesë e stafit të kuzhinës”, thekson Sagdati. “E rinia e fshatrave lart punon kryesisht në ndërtimtari, në Prizren, por më shumë në Mal të Zi”.

Almedin Fejza, drejtues i organizatës joqeveritare “Sofra”, themeluar më 2000, tregon se komuniteti boshnjak përballet me probleme të cilat ndikojnë në cilësinë e jetës së tyre. Rinia i vuan më së shumti.

“Si edhe për komunitetet e tjera, edhe tek komuniteti boshnjak, papunësia e të rinjve është problem kryesor i boshnjakëve në Komunën e Prizrenit, posaçërisht në rajonin e Zhupës dhe Podgorës, ku kryesisht jetojnë boshnjakët”, thotë ai.

“Dy grupe boshnjakësh”

Në “Pasqyrën e komuniteteve të Kosovës” të uebfaqes së Zyrës për Çështje të Komuniteteve, nën ombrellën qeveritare, bëhet e ditur se komuniteti boshnjak është i përqendruar më së shumti në Prizren, ku përbën 10.01 për qind të popullsisë së komunitetit, kryesisht në qytet, në Zhupë dhe në Dragash, ku përbën rreth 25 për qind (megjithëse “duhet të kini parasysh se kjo shifër përfshin edhe komunitetin goran”), e që jeton kryesisht në rajonin e Gorës.

“Në Kosovë boshnjakët mund të ndahen në dy grupe. Grupi i parë përbëhet nga ata që migruan në Kosovë në kohë të ndryshme nga Bosnja, Mali i Zi dhe më së shumti nga rajoni i Sanxhakut, sidomos pas përfundimit të sundimit osman në rajon. Ky grup është i përqendruar përreth rajonit të Pejës, Istogut dhe Mitrovicës, dhe në një masë më të vogël në Prishtinë”, shkruhet në përmbledhjen për “Kulturën dhe fenë” e boshnjakëve të Kosovës. “Grupi i dytë përbëhet nga ata që kanë jetuar tradicionalisht kryesisht në rajonet e Prizrenit, Dragashit dhe Zhupës”.

“Unë jam boshnjak i Kosovës”, thotë Fejza rrugës gjarpëruese nga qyteti multikulturor i Kosovës drejt fshatrave të Zhupës. “Ne nuk kemi ardhur prej askund. Këtu kemi qenë gjithmonë”.

“Sofra” e Fejzës ka nismëtuar vjet punësimin e pesëmbëdhjetë të rinjve nëpërmjet mbështetjes së hapjes së bizneseve të reja. Nisma është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Organizata e Fejzës ka shpallur tri thirrje për trajnime në fushën e ndërmarrësisë, hartimit të planeve të bizneseve, marketingut dhe planifikimit financiar.

“Në bashkëpunim me dy organizatat e tjera në Prizren - SHZAP dhe Esnaf – i kemi edhe aktivitetet e përbashkëta lobuese për çështjet që kanë ndikimin direkt në bizneset e Prizrenit”, thekson ai.

“Komunë më vete!”

Në njoftimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve thuhet se informatat mbi papunësinë te komuniteti boshnjak janë të rralla, por “sugjerimi i shifrave në dispozicion sugjeron se ajo sillet nga 75 për qind në 95 për qind në të gjitha komunat në të cilat është i pranishëm ky komunitet”.

“Gjendja e varfër e ekonomisë në tërësi”, është një prej shqetësimeve më të mëdha të komuniteteve, vlerësohet në përmbledhjen e zyrës së autorizuar vetëm për adresimin e çështjeve të komuniteteve joshumicë. Pandemia ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen e rinisë boshnjake të rrethinës së Prizrenit. Për muaj me radhë, restorantet ishin të mbyllura dhe pjesa më e madhe e të rinjve nuk janë paguar për shkak se nuk ishin regjistruar nga pronarët e bizneseve të kulinarisë. Iu shmangën detyrimeve tatimore. “Gjatë asaj kohe jam mbështetur te të hyrat e familjes”, thotë një kamerier në mes të njëzetave. Tani është kthyer në punë.

Ruajtja e lidhjeve të forta të familjes dhe farefisit ndihmoi boshnjakët ta përballonin më lehtë krizën e koronavirusit. Në fshatrat e Zhupës, edhe në hapësira publike shihet përgjegjësia kolektive për komunitetin.

Në hulumtimin e Institutit GAP, “Roli dhe rëndësia e qytetarisë aktive”, publikuar më 2017, Lubinja e Epërme është njëra prej pesë vendbanimeve me komunitetin më të organizuar në Kosovë. Aty bëhet e ditur se fshati me dy mijë banorë ka krijuar një sistem të mirëfilltë të organizimit komunitar me administratë “pothuajse të nivelit komunal”. Rreth 600 shtëpi kontribuojnë me vetëfinancim për organizimin e jetës komunitare, duke paguar nga pesëdhjetë centë për çdo anëtar të familjes, “ndërsa kontributi i diasporës është i vazhdueshëm”, shkruan në hulumtimin e GAP-it.

“Këshilli i Fshatit, ndonëse është zgjedhur përmes Rregullores komunale, ka një strukturë më të gjerë dhe unike. Kuvendi i Bashkësisë Lokale është organi vendimmarrës, ku nga 6 lagje të fshatit, janë 29 anëtarë që e përbëjnë Kuvendin”, shkruhet në “Roli dhe rëndësia e qytetarisë aktive”. Aty thuhet se mbarëvajtjen e organizimit e bëjnë 7 komisionet: për ujësjellës, rrugë, shërbime komunitare, për çështje juridike, financa, çështje teknike dhe komisioni për sport dhe kulturë.

Punësim, veç me librezë partie

Rrugës përpjetë drejt Lubinjes së Epërme janë ndërtuar pushimore e kroje nga vullnetarët e fshatit. Kalimtarët e rrallë mund të pushojnë në freskinë malore, përderisa përballë bie fort në sy maja e Lubetenit. E çan qiellin.

Megjithatë, Fejza thotë se rinia nuk po sheh perspektivë në fshatrat malore. Po kërkon mundësi punësimi në Prizren ose jashtë vendit. Të njëjtën e thotë edhe Raif Ademi, burri që i vetëm e drejton Radio Astrën, vendosur në pullazin e shtëpisë në Lubinje të Epërme. Sipas tij, arsimi është shqetësimi më i madh i rinisë boshnjake.

Të dhënat qeveritare tregojnë se aty ku komuniteti përbën 4 për qind të popullsisë, duhet të ofrohen objektet arsimore në gjuhën boshnjake. Ademi e Fejza tregojnë se nxënësve u ofrohet mësim në gjuhën e tyre në shkolla fillore e të mesme në Komunën e Prizrenit, që ka nënkryetare për komunitete boshnjaken Memnuna Ajdini, ish-mësimdhënëse.

Ademi thotë se nxënësit po përballen me mungesë të literaturës së nevojshme. Për këtë fajëson nivelin lokal e qendror të pushtetit, sidomos partitë e boshnjakëve. Fejza thekson se problemet në arsim nuk janë zgjidhur për 20 vjet me radhë.

“Mungesa e librave në gjuhën boshnjake është problemi kryesor, punësimi partiak i mësimdhënësve nëpër shkollat tona është fenomen tjetër negativ i arsimit në sistemin e gjuhës boshnjake”, thotë ai, duke shtuar se Universiteti i Prizrenit për një dekadë e gjysmë ka pasur vetëm një drejtim të Fakultetit të Edukimit për programin fillor boshnjakisht, që ka nxjerrë qindra mësimdhënës.

“Ata nuk kanë ku të punojnë”, tregon ai. “Sa i përket integrimit është në nivel të duhur për shkak të Prizrenit si qytet multikulturor”.

Përkundër ligjeve që ofrojnë diskriminim pozitiv për komunitetet joshumicë, “punësimi i komunitetit boshnjak nuk është në nivelin e duhur, posaçërisht në institucionet shtetërore edhe në nivelin lokal, edhe qendror”.

Mungesë besimi në institucione

Ai thotë se mungesa e besimit në institucione është shqetësim i madh i të rinjve. Këtë e ilustron me mosakreditimin e drejtimeve në gjuhën boshnjake në universitetet e Pejës dhe të Prizrenit vjet.

“Shumë të rinj boshnjakë kanë qenë të detyruar të regjistrojnë fakultete në vendet e rajonit, mirëpo shumica nuk janë regjistruar për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike”, thotë ai. “Papunësia, mungesa e perspektivës, qasja në arsim universitar, siguria në çdo aspekt dhe mosbesimi në institucionet tona janë disa nga problemet e te rinjve të komunitetit boshnjak”.

“Të rinjtë si të rinj duhet të kenë aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive”, thekson Ademi në oborrin e tij. “E ka kapur politika; ndërtojnë objekte, salla, shtëpi të kulturës, por problemi është se këto projekte nuk po përfundojnë deri në fund”.

Ai tregon përplasjen e fundit ndërmjet përfaqësuesve të nivelit ministror dhe komunitetit të Lubinjës së Epërme për ndërtimin e një salle të re sportive. Fshati ka ndërtuar, vetë, vite më parë, palestrën e shkollës fillore. Fejza, ndërkaq, thotë se autoritetet do të duhej të kishin prioritet funksionalizimin e sallave dhe qendrave të kulturës, tashmë të ndërtuara nëpër fshatrat boshnjake me rënie të theksuar të numrit të nxënësve.

Të dytë thonë se politikanët boshnjakë të gardës së vjetër nuk po krijojnë hapësirë për brezin e ri të shkolluar. “Po flasin për problemet e boshnjakëve, por nuk po jetojnë këtu”, thekson Fejza.

“Populli prapë po voton për njerëzit e vjetër për shkak se ata janë mjeshtër të mbledhjes së votave. Nuk është vetëm te na ky problem, por në krejt Kosovën”, thekson Ademi, duke folur për “kapje” pushteti edhe nga përfaqësuesit e komunitetit të tij.

Almir Veliji, nënkryetar i partisë boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU), tani është këshilltar politik për komunitete i kryeministrit Hoti.

“Sot pranova detyrën e këshilltarit politik të kryeministrit z.Avdullah Hoti. Me këtë rast zotohem se detyrën që mora do ta kryej me përkushtim, vullnet dhe guxim, duke garantuar angazhim maksimal sidomos për komunitetin boshnjak”, ka shkruar ai në “Facebook” pas emërimit.

Nuk ishte pjesë e ekzekutivit në Qeverinë e kaluar. Veliji, i cili thotë se sikurse ai, shumica absolute e Mushnikovës së Prizrenit janë shqiptarë, ankohet për mungesë mundësish për rininë e fshatrave përreth. Në intervistën e zhvilluar para emërimit këshilltar ishte goxha i sertë me kritika kundër kryetarit aktual të Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Rinia nuk kanë perspektivë”, ka thënë në maj ai, duke treguar se si shumë mushnikovas të diplomuar kanë aplikuar në shumë vende pune në institucione publike, por nuk janë pranuar.

“Ljubinska nusa”, krenaria e Zhupës

Fejza, i cili ka pikëpamje goxha ndryshe krahasuar me të Velijit për shumë çështje të komunitetit, thotë se “Sofra” është adresa e parë për çdo informatë dhe për aktivitete të cilat e kanë për qëllim zhvillimin ekonomik, prej hapave të parë nga regjistrimi i biznesit e deri te standardizimi, aplikimi për grante dhe informata e shërbime të tjera rreth veprimtaritë ekonomike.

“Deri tani kemi implementuar mbi 100 projekte për këtë qëllim”, thotë ai. “Viteve të fundit jemi të orientuar me aktivitete me rininë, duke filluar nga trajnimet në ndërmarrësi dhe projektet të cilat e kanë për synim rritjen e punësimit tek të rinjtë”.

Sagdati, themelues dhe drejtues i “Natural Fresh” në Reçanë, thotë buzë Lumëbardhit se nëpër fshatra të Zhupës e të Podgorës ka shtëpi mbi njëqind vjet të vjetra, të cilat do të mund të ktheheshin në atraksion për turistët potencialë. Mendon se edhe ushqimet specifike të zonës do të mund t’i joshnin vizitorët.

“Do të mund të organizoheshin edhe ekskursione nëpër natyrë”, thekson Sagdati. “Ka liqene të shumta në male të Sharrit. Janë bukuri të mrekullueshme”, e plotëson Fejza.

“E kemi shoqatën e gjuetisë, të cilët e kanë mundësinë e organizimit të eventeve sportive. Dhe gjuetia është turizëm shumë i zhvilluar në Angli, për me shkrep një plumb kushton pesëdhjetë euro”, thekson Sagdati, duke kujtuar se gjuetia do të kthehej në burim financiar për komunitetin, por “duke respektuar të gjitha rregullat e ligjet” për mbrojtjen e botës së egër shtazore.

“Sofra” e Fejzës deri tani nuk ka mundur të përkrahte sa duhet zhvillimin e turizmit malor në rajonin e Zhupës, si dhe veprimtaritë ekonomike të cilat janë të përshtatshme për rajonin rural ku kryesisht jetojnë boshnjakët e Prizrenit. Megjithëse thotë se institucionet lokale e ato qendrore kanë bërë pak edhe për njohjen e traditave boshnjake, krenohet me “Ljubinska nusa” (Nusja e Lubinjes), “e cila është e njohur në nivelin botëror” për ngjyrosjen e fytyrës së nuses në ditën e dasmës për ta mbrojtur nga syri i keq.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Rexhep Malokut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose i BIRN-it dhe AGK-së)