Institucionet kanë marrë nisma për parandalimin e djegies së hamulloreve. Të mërkurën u mbajt një takim i Policisë dhe përfaqësuesve të disa ministrive e agjencive, e të enjten për rrezikun nga zjarret u diskutua edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Në Ministrinë e Bujqësisë po e shqyrtojnë mundësinë e sanksionimit të pronarëve që vënë zjarr në ara
Ministria e Bujqësisë po i shqyrton mundësitë ligjore që pronarëve të tokave, të cilët i djegin hamulloret, t’ua ndalë subvencionimin për të mbjella.
Sipas këtij dikasteri qeveritar, kjo dukuri zvogëlon produktivitetin e tokës, ndot mjedisin, por edhe shkatërron mikroorganizmat dhe materiet ushqyese të dobishme në dhe.
“Në kuadër të bashkëveprimit ndërinstitucional që synon parandalimin e djegies së hamulloreve, MBPZHR do të bashkëpunojë ngushtë me organet kompetente përgjegjëse për rendin publik, si dhe me institucionet e tjera me qëllim që të sanksionojë kryerësit e kësaj vepre penale në kuadër të Programit për Pagesa Direkte në Bujqësi”, thuhet në paralajmërimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, të enjten.
Për këtë çështje të mërkurën është mbajtur edhe një takim mes Policisë, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, si dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë e Zhvillimit Rural.
Gjatë korrikut, 350 intervenime të zjarrfikësve
Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës, ka thënë se gjatë korrikut është intervenuar në 350 raste të zjarreve, shumica prej tyre në hamulloret e sipërfaqeve të mbjella me grurë.
Gashi u shpreh se rrezikun për zjarr po e rrisin edhe temperaturat e larta.
“Qysh javën e kaluar deri më sot i kemi mbi 50 intervenime në këto lloje të zjarreve që quhen fushore-malore, e zakonisht numri më i madh i këtyre zjarreve është në hamullore, sepse po i djegin mbetjet pas korrje-shirjeve... këto temperatura e thajnë aq shumë këto mbetjet, barin, gjethet, dushkun e thajnë deri në atë pikë që bëhet materie e lehtë ndezëse”, ka deklaruar Gashi.
E Remzi Beka, i cili merret me mbrojtjen e ambientit, ka listuar disa nga gjallesat që janë në rrezik shkaku i djegies së habitatit të tyre. Sipas tij, më i madh është dëmi se hairi nga djegia e hamulloreve.
“Iriqi, lepujt e fushës, minjtë e fushës, pastaj insekte të ndryshme që edhe ato e mbajnë ekuilibrin mjedisor që duhet të ruhen. Janë gjarpërinjtë, breshkat të gjitha këto faktikisht me këto zjarre eliminohen”, ka thënë Reka.
Të enjten, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës, ku është diskutuar edhe për rrezikun nga zjarret. Në njoftim thuhet se institucionet e sigurisë i kanë shtuar aktivitet për parandalimin e zjarreve.
Zjarri në rajon
Ndërkohë me zjarrin po ballafaqohen edhe shtetet fqinje të Kosovës, madje shumë më tepër. Në Shqipëri, gjatë gjithë javës së shkuar u dogj një hapësirë e pyllit me pisha në fshatin Shëngjin të Lezhës. Zjarri shkoi afër plazhit, duke prekur edhe resorte, sa që shtyu turistët të largohen nga kjo zonë.
Të enjten, institucionet e sigurisë në Shqipëri, bënë të ditur se zjarri në Shëngjin është shuar krejtësisht. Por vatra të tjera zjarri janë ndezur në Vlorë, Tepelenë, Lezhë, Shkodër, Elbasan dhe Tiranë.
Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 39 zjarre ishin aktive.
“Pas ndërhyrjes së forcave operacionale u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 33 vatrave. Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 1371 forca operacionale, 75 mjete, helikopteri i forcave të armatosura dhe dy avionë kanaderë të qeverisë italiane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë.
E në Maqedoninë e Veriut, si pasojë e tymit vdiq një person në Komunën e Kumanovës.
Në 24 orët e fundit në këtë vend, plot 43 vatra zjarri ishin aktive, por deri në orët e pasdites të së enjtes, shumica prej tyre janë shuar ose janë vënë nën kontroll. Kanë mbetur edhe nëntë, sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave.
Zjarre gjatë kësaj jave në shtetin fqinj jugor, pati edhe në komunat Shtip, Kratovë, Makedonski Brod dhe Nagoriçan i Vjetër.