Shukri Buja, ish-komandant i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes, po e vazhdon të martën dëshminë para trupit gjykues në Hagë.
Ai ka deklaruar se në korrik të 1998-s ishte përhapur një propagandë se kishte ikur nga vijat e frontit dhe nuk po merrte pjesë në luftime, duke shtuar se kjo propagandë mori përmasa shqetësuese “sepse nisi të përhapej edhe në mesin e ushtarëve të UÇK-së”.
Sipas Bujës, pjesë e propagandës ishte edhe thashetheme se zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, i kishte marrë 100.000 marka dhe kishte ikur në Shqipëri.
“Në korrik të 1998-s, në grykë të Shalës ku po qëndronin afro 20 mijë qytetarë civilë, ishte përhapur një thashetheme se zëdhënësi i UÇK-së kishte marrë 100 mijë marka dhe kishte ikur për në Shqipëri. Lidhur me këtë çështje kemi mbajtur takim me qytetarët civilë atje, bashkë me Jakup Krasniqin. Unë jam goditur fillimisht me propagandën me të fuqishme si një udhëheqës që ka ikur nga vijat e frontit dhe nuk merr pjesë në luftime. Kjo ka qenë propaganda. Kjo mori përmasa shqetësuese sepse nisi të përhapej edhe në mesin e ushtarëve të UCK-së”, ka thënë Buja.
Ai ka shtuar se kishte kërkuar të merreshin masa.
Buja u shpreh tutje se Fatmir Limajn e kishte konsideruar si komandant të parë dhe ka menduar se është anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.
“Më vonë kam kuptuar se nuk ka qenë anëtarë i Shtabit, Limaj ka qenë njëri nga kolegët e mi të luftës. Deri në periudhën e fund-korrikut 1998 ka qenë në Kleçkë”, theksoi ai.
“Unë me dëshirë e kam marrë përsipër edhe zonën e Ferizajt dhe Kaçanikut dhe askush nuk ka mundur të më detyroj. Unë i kam njoftuar ata që kam supozuar se janë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm se jam duke e bërë bartjen e furnizimit, e kam marrë me dëshirë këtë detyrë sepse, nëse nuk gaboj, në maj kanë filluar luftimet ne Llapushnik”, ka shtuar Buja.
Ai u pyet nga prokurori për deklaratën e Bujës në 2005-n në Tribunalin e Hagës.
“Në përgjigjen e 2005-tës në Tribunalin e Hagës, në rastin Limaj, keni thënë: Komunikimin e kam pasur me Hashim Thaçin përmes telefonit, për këtë punë shtesë. A është e saktë?”, pyeti ai, derisa Buja tha se ka komunikuar me Thaçin pasi “komunikimet tona kanë qenë të vazhdueshme...Në fund të luftës zona e Nerodimes i ka pasur 4 brigada, ose afro 3000 ushtarë. Zonat më të mëdha kanë qenë ajo e Pashtrikut dhe Drenicës.
Buja ka nisur dëshminë të hënën (4 nëntor). Ai në fillim nuk pranoi t'iu përgjigjej pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), por më pas iu tërheq vërejtja nga Gjykata se mund të gjobitej për këtë.