Hulumtuesi i lartë i Institutit Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, ka deklaruar se për shkak të zgjedhjeve parlamentare, Qeveria e ka me nguti miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, se Qeveria po e ndërlidh miratimin e projektligjit për luftimin e korrupsionit dhe hetimin e pasurisë së pajustifikueshme me afatin e zgjedhjeve, që do të mbahen në shkurt të 2025-s.
“Duket se Qeveria e ka interes vital pasi e ka përmendur se janë të interesuar ta miratojnë një byro për konfiskim civil të pasurisë. Kanë një nguti që projektligji të ridërgohet në Kuvend dhe meqë janë shpallur zgjedhjet, mendoj se kjo procedurë e përshpejtuar e ndryshimit është edhe për shkak të zgjedhjeve dhe të proklamohet se kanë vendosur të miratojnë edhe Ligjin e Byrosë. Kjo pasi ka pritshmëri se ky mekanizëm do të luftojë korrupsionin dhe do të hetojë pasurinë e pajustifikueshme”, ka deklaruar Bugaqku.
Ai është shprehur se ekziston rreziku që ligji sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe bie. Kjo për shkak se sipas hulumtuesit të KDI-së, nëse nuk ka diskutim publik, mund të jetë problematik.
“Nuk përjashtohet mundësia që prapa të dërgohet në Kushtetuese dhe të shpallet i pavlefshëm. Arsyeja kryesore pse duhet të ketë diskutim publik është se sërish mund të parandalohet ndonjë dispozitë që mund të shpallet jokushtetuese nëse dërgohet në Kushtetuese. Ekziston rreziku që të kontestohet, por nuk e dimë ende pasi nuk është bërë publik as drafti i ndryshuar. S’dimë çka ka ndodhur në katër dispozitat problematike”, ka shtuar tutje Bugaqku.
Sipas tij, ky projektligj mund të shkojë në Kuvend për votim në fillim të dhjetorit , nëse procedurat shkojnë si duhet.