Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje zyrtarëve të Serbisë që të përmbahen nga deklaratat që e vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova e Serbia janë dakorduar vitin e shkuar. Këtë koment në Brukselin zyrtar e kanë dhënë pas paralajmërimeve të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, se Beogradi nuk e ka pranuar planin franko-gjerman, as nuk do të nënshkruajë gjë që ia konfirmon shtetësinë Kosovës
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i ka çuar porosi Brukselit zyrtar se nuk i merr përsipër obligimet nga Marrëveshjet e arritura me Kosovën, mbi bazën e Planit franko-gjerman.
Në debatin e zhvilluar në Parlamentin e Serbisë për Deklaratën, e cila është miratuar para disa javësh në Kuvendin e ashtuquajtur gjithëserb, Vuçeviqi ka thënë se Serbia nuk ka nënshkruar e as nuk do të nënshkruajë gjë që ia konfirmon shtetësinë Kosovës.
“Republika e Serbisë nuk e ka pranuar planin franko-gjerman. Sërish po ua them, nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Nuk e kemi nënshkruar dhe kemi dhënë deklaratë të qartë përcaktuese, e kemi thënë shumë qartazi se çfarëdo gjëje që nënkupton të ashtuquajturën Kosovë të pavarur është e papranueshme”, ka thënë Vuçeviq.
Të pyetur rreth këtyre deklaratave, në Brukselin zyrtar kanë thënë se palët janë të vetëdijshme për obligimet nga dialogu që kanë marrë përsipër për t’i zbatuar. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ata kanë rikujtuar se marrëveshja i është bërë obligim Serbisë në kuadër të kapitullit 35, në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE).
“Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Zbatimi i tij është pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse evropiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë. Nëse përparimi në pranimin e saj në BE është vërtet në interesin strategjik të Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit serbë të përmbahen nga deklaratat që e vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”, ka thënë për KOHËN një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE). “Për të kujtuar qëndrimin konsistent publik të BE-së, Marrëveshja me Aneksin e saj Zbatues është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të HRVP-së (Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme) të datës 18 mars 2023. Kjo u pranua nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti”.
E zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i cili e ka shpërndar videon e kryeministrit serb Vuçeviq nga Kuvendi i Serbisë, ka thënë se BE-ja duhet të bindet se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë.
“Kryeministri i Serbisë po i pyet Përfaqësuesit e Lartë të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t'ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planeve të sekuencimit na duhen para se ta zbulojnë të vërtetën të gjitha shteteve anëtare”, ka shkruar Bislimi.
Në këtë postim, Bislimit i ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
“Në vend që Besnik Bislimi të bëjë spina dhe të mashtrojë opinionin, Prishtina duhet të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Beogradi është plotësisht i përkushtuar që të përmbushë obligimet e tij nga Marrëveshja e Ohrit në përputhje me vijat e kuqe të përcaktuara qartë dhe kjo nuk vihet në diskutim”, ka thënë Petkoviq.
Përpjekja e emisarëve euro-amerikanë – Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar – për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet deri më tash ka rezultuar e dështuar ndërsa dialogu ka mbetur nën hijen e tensioneve.
Ani se palët janë zotuar gojarisht për zbatim të marrëveshjes që bazohet në planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, jo që nuk ka pasur zbatim porse situata ka përshkallëzuar me protestat më të dhunshme të vjetëve të fundit në veri dhe me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, e tre pjesëtarë nga grupi sulmues i serbëve të armatosur.
Për pasojë, emisari i BE-së që mbështetej edhe nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, janë marrë me menaxhimin e krizës. Pjesë e obligimeve është edhe marrëveshja e arritur para 11 vjetëve. Marrëveshja e Parë e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve ende nuk është zbatuar plotësisht. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë.
Për këtë mekanizëm, aranzhmane ka pranuar edhe Qeveria Kurti me Marrëveshjen Bazë të arritur më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe Aneksin për Zbatimin e saj më 18 mars në Ohër. Ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, bashkë me përfaqësues të QUINT-it më 21 tetor 2023, ia dorëzuan qeverisë edhe draft propozimin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pasuar me takimet e ndara në Bruksel mes liderëve të Kosovës e Serbisë me përfaqësues të QUINT-it. Por ka munguar dakordimi rreth dokumenti.
Kryeministri Kurti e pati kushtëzuar zbatimin e Asociacionit sipas propozimit të BE-së, me nënshkrimin e dokumenteve të dialogut. Edhe pse Kurti shprehu gatishmëri ta nënshkruajë marrëveshjen bazë, aneksin dhe propozimin e ri për themelimin e Asociacionit, BE-ja e shpërndau përgjegjësinë tek të dyja palët, me arsyen se u vendosën parakushte. Serbia deri tash ka refuzuar t’i nënshkruajë marrëveshjet e Brukselit.