Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, e ka mirëpritur certifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nëpërmjet një postimi në platformën “X”, Hargreaves ka thënë se institucionet demokratike të Kosovës kanë dëshmuar se janë të gatshme ta sigurojnë zbatimin e sundimit të ligjit.
“E mirëpres certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Institucionet demokratike të Kosovës kanë treguar se janë në gjendje të sigurojnë se sundimi i ligjit zbatohet dhe nuk mund të minohet nga përshtatshmëritë politike”, ka thënë ai.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka thënë të martën se vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për certifikim të Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.
Vendimin e KQZ-së e ka mirëpritur edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë.
