Arbëri

Britania: Çështja e strukturave paralele adresohet përmes dialogut

Britania e Madhe - Kosova

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësim nga veprimet e sotme të institucioneve të Kosovës në mbylljen e strukturave paralele në disa rajone.

Britania i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që këto veprime të kryhen në përputhje me kornizën ligjore, por që po ashtu të marrë parasysh “faktin se shumë serbë të Kosovës, duke përfshirë edhe më të cenuarit, vazhdojnë të mbështeten në këto institucione për shërbime”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike në Kosovë.

“Angazhimi konstruktiv, nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, përfshirë zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe themelimin e Asociacionit, është mënyrë më e mirë për të adresuar këto çështje”, thuhet në reagim.

Policia e Kosovës të mërkurën ka mbyllur komunat paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyra tatimore ilegale.